Zgjedhjet në Shqipëri

Vijon rinumërimi për Durrësin, LSI larg kthimit të rezultatit


Janë rinumëruar 90 nga 108 kutitë e votimit të qarkut Durrës, nga të cilat Lëvizja Socialiste për Integrim fiton vetëm tre vota më shumë. Një shifër kjo e pamjaftueshme për të përmbysur rezultatin dhe për t’i marrë mandatin socialistëve.

Këta të fundit kanë humbur 31 vota nga rinumërimi. Gjithsesi, hendeku i votave midis dy partive ka qenë 136 të tilla.

Partia Demokratike ka humbur gjithashtu 14 vota nga rinumërimi. Ky fakt nuk ndryshon asgjë në garën e demokratëve, pasi mandati i tyre është i sigurt.

Të mbetura janë 18 kuti votimi, të cilat do të japin edhe rezultatin përfundimtar për Durrësin.

Socialistët pritet ta ruajnë mandatin e tyre të tetë në qarkun bregdetar.

Rinumërohen 67 nga 108 kuti votimi

Janë rinumëruar deri më tani 67 kuti nga 108 për qarkun e Durrësit. Nga të dhënat e deri tanishme, Lëvizja Socialiste për Integrim – subjekt i cili ka kryer kërkesën për rihapjen e kutive durrsake – ka fituar vetëm tre vota nga rinumërimi.

Objektivi i socialistëve të qendrës, ishte të fitonin 136 vota, me anë të të cilave ata mund t’i rrëmbejnë Partisë Socialiste mandatin e tetë në Durrës.

Këta të fundit nga ana tjetër, kanë humbur tre vota si pasojë e rinumërimit. Me këto të dhëna, LSI-së i duhen ende 130 vota për të përmbysur rezultatin.

Kjo shifër duket e largët, duke parë se kanë mbetur për numërim vetëm 41 kuti votimi.

Partia Demokratike ka humbur gjithashtu vota nga rinumërimi, 13 të tilla. Pavarësisht këtij fakti, asgjë nuk ndryshon për ta nga këto të dhëna.

Hapen 40 kutitë e para të qarkut Durrës

Rinumërimi i 108 kutive në qarkun e Durrësit, me kërkesë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, vijon. Janë hapur deri tani 40 kuti, në të cilat ka rezultuar se LSI-ja fiton vetëm tre vota më shumë nga sa kishte.

Pavarësisht kësaj, shifra është larg 136 votave që duhet të kthejnë socialistët e qendrës, për t’i marrë mandatin e tetë Partisë Socialiste.

Rinumërimi ndërkaq vijon pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për 68 kutitë e mbetura.

Në tërësi, janë tetë grupe numërimi që vijojnë punën.

Rinumërimi i votave për 108 kuti votimi në qarkun e Durrësit, ka filluar më herët, ku LSI-ja pretendon se do të marrë një mandat në qytetin bregdetar.

Nga ana tjetër, pala socialiste është e palëkundur në mendimin se asgjë nuk do të ndryshojë në Durrës pas rinumërimit.

LSI-së i duhen 136 vota të rikuperuara për të fituar mandatin durrsak.

Si arritëm në këtë pikë?

LSI-ja ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Durrësit, duke kërkuar anulimin e rezultatit dhe një proces të ri votimi për gjithë qarkun. Këtë, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksionene pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk e ka pranuar.

Nga ana tjetër, kërkesë ka pasur nga LSI-ja edhe për rinumërimin e 108 kutive në disa zona të caktuara. Kjo kërkesë u miratua nga KAS-i, duke çuar kështu në hapjen e këtyre kutive.

Nëse socialistët e qendrës arrijnë të vërtetojnë pretendimin, ata mund të marrin mandatin e tetë të Partisë Socialiste në Durrës. Për këtë, ata duhet të kthejnë 136 vota në favor të tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore