Lajme

Vidhnin pyjet, arrestohet pesë persona në rajonin e Ferizajt


Pesë persona janë arrestuar në një aksion të Policisë së Kosovës në rajonin e Ferizajt.

Operacioni i Policisë është zhvilluar kundër personave që po dëmtojnë pyjet e Kosovës, gjegjësisht Parkun Nacional të Sharrit.

Drejtori i Policisë së Kosovës, për rajonin e Ferizaj, Basri Shabani, ka treguar në detaje për këtë operacion të ndërmarrë nga policia.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, dje me datën 18.11.2021 duke filluar nga ora 06:00 e mëngjesit , nga sektori i hetimeve rajonale në bashkëpunim dhe në përkrahje dhe asistencë nga njësia e reagimit të shpejtë dhe njësitet patrulluese në terren ka filluar të zbatojë planin operativ ‘Sharri 2021’”.

“Në kuadër të këtij plani operativ janë ndërmarrë një seri veprimesh në parandalim dhe zbulim të kryesve të veprës penale të shkretimit të pyjeve dhe vjedhjeve të pyjeve në Parkun Nacional Sharri. Në dy lokacione të Parkut Nacional janë kapur në flagrancë dhe arrestuar 10 persona duke prerë dru”, ka thënë Shabani.

Gjatë këtij operacioni ndaj pesë personave është dhënë urdhër ndalimi për 48 orë.

“Personat e dërguar në mbajtje janë Sh.L. viti i lindjes 1995, fshati Ivaj Kaçanik, N.L. viti i lindjen 1987, fshati Ivaj në Kaçanik, E.Sh. i lindur më 1983, fshati Sllatinë në Kaçanik, B.R. i lindur në vitin 1992 në Kaçanik dhe G.S i lindur më datë 1987 në Kaçanik”.

“Tetë persona të tjerë që janë shoqëruar në stacionin policor janë liruar në procedurë të rregullt, por se hetimi ndaj tyre do të vazhdojë”, ka thënë Shabani.

Sipas Policisë këta persona të arrestuar ishin recidivistë dhe po dëmtonin pyjet vazhdimisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore