Stil

Victoria’s Secret punëson modelen e saj të parë me sindromën Down


Sofia Jirau, modele.

Marka e njohur Victoria’s Secret, të premten bëri të ditur se po lançon koleksionin e saj më të ri “Love Cloud”, që do të promovohet nga Sofia Jirau.

Jirau është modelja e parë me sindromën Down që do të sfilojë për këtë markë.

24 vjeçarja e lindur në Puerto Rica, e cila filloi modelimin tre vjet më parë, tha për tha për Wall Street Journal, se do të donte të frymëzonte të tjerët.

“Edhe nëse janë me sindromën Down, ata ende mund të modelojnë, ata ende mund të kenë punë”, tha ajo për Journal.

Jirau ka fushatën e saj, Sin Limites, që rrit ndërgjegjësimin për sindromën Down.

Fotografi nga koleksioni Love Cloud i Victoria’s Secret

Koleksioni Love Cloud, i krijuar për të brendshmet do të promovohet nga 18 modele me prejardhje të ndryshme. Dhe sipas Victoria’s Secret, e gjithë fushata fokusin do ta ketë vetëm te gratë.

“Me këtë linjë të re, ne po lançojmë sutjena dhe brekë me cilësi të lartë në forma që u përshtaten nevojave të përditshme të grave, në përpjekjet tona të vazhdueshme për të zhvilluar produkte që mbrojnë gratë dhe mbështesin udhëtimet e tyre individuale”, është shprehur shefi i dizajnit Janie Schaffer.

Në vitet e fundit, kjo markë ka pasur shumë ndryshime për sa i përket modeleve, pasi kompania synon të bëhet më gjithëpërfshirëse, sepse shitjet e saj kishin pësuar ulje pasi konsumatorët refuzuan imazhet e saj tepër seksuale.

Megjithëse kishte mbetur marka dominuese në kategorinë e të brendshmeve, rivalët si American Eagle’s Aerie, Cuup dhe ThirdLove, po fitonin më shumë pjesë të tregut.

Ndër të tjera, të enjten, Victoria’s Secret Pink njoftoi publikun me ambasadoren e re, “plus-size” të markës, yllin e platformës TikTok, Remi Bader.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore