Shqipëria

Vetëvrasja e 41-vjeçares në Durrës, dyshohet se bashkëshorti ka tentuar të arratiset pas ngjarjes


Nga ngjarja e rëndë e ndodhur pak dirë më parë në Durrës, ky 41-vjeçarja Bedrie Loka i dha fund jetës duke pirë fostoksinë, kanë dalë detaje të reja.

Policia ka vënë në pranga bashkëshortin e saj, pasi ka dyshime të forta se ishte pikërisht ai që e ka shtyrë nënën e katër fëmijëve të tij drejt aktit të vetëvrasjes.

Në banesën e Xhemal Lokës, në anën jugorë të banesës, është gjetur e mbështjellë me peshqir një armë zjarri automatik “PPS”, me krehër pa fishek, pjesët e lëvizshme të rregullta e me gjilpërë të rregullt, me numër arme “89-0579”.

Në të njëjtin vend janë gjetur edhe 114 copë fishekë, model ’54, kalibër 7.62mm dhe 4 katër fishekë model ’56, kalibër 7.62mm, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike.

Mësohet gjithashtu se teksa Xhemal Loka ishte shoqëruar në Komisariatin e Policisë Durrës, i janë gjetur me vete një sasi parash prej 2 mijë e 800 Euro dhe 27 mijë Lekë.

Sipas grupit hetimor, dyshohet se Loka me këto para do të arratisej jashtë shtetit, për t’ju fshehur procesit hetimor.

Detajet e ngjarjes

Detaje të reja janë zbardhur nga vetëvrasja tragjike e një 41-vjeçareje në Durrës, e cila për shkak të përfoljes së pahijshme në media sociale dhe presionit të vazhdueshëm psikologjik, i dha fund jetës, duke lënë pas katër fëmijë jetimë.

Pas një dëshmie të dyshimtë të bashkëshortit të saj lidhur me rastin dhe akuzat e fëmijëve se ndaj Bedrie Lokës ishte ushtruar rregullisht dhunë psikologjike e fizike nga ana e tij, ka pasur konfrontim edhe mes familjeve dhe madje, edhe shuma parash të vjedhura, ende pa autor.

Sipas të dhënave mbledhur nga dëshmitë, situata është përshkallëzuar në çastin kur familja e Sanije Lokës, vjehrrës së Bedrie Lokës, është shpërngulur nga Peshkoi në Sukth.

Bedria dhe bashkëshorti i saj, Xhemal Loka, ndërtuan një shtëpi dykatëshe, ndërsa Sanija me djalin tjetër dolën me qira në fshatin Kodër.

Mirëpo, vjehrra e të ndjerës, kishte këmbëngulur që katin e dytë të shtëpisë ta merrnin ajo me fëmijët e një prej djemve të tjerë të saj, të cilët i kishte braktisur e ëma.

Një kërkesë e tillë kishte nxitur kështu konfliktin mes Bedrie dhe Xhemal Lokës, ku përshkallëzohej edhe në dhunë fizike e psikologjike, kur ky i fundit kthehej nga kurbeti.

Po ashtu, është mësuar se kohë më parë, një shumë prej 40 mijë eurosh ishte vjedhur nga banesa e Bedrie Lokës, por krimi ende nuk është zbardhur as sot, pasi për rastin nuk është bërë një denoncim në Polici.

Konfliktime ka pasur edhe mes familjeve, ku vëllezërit e të ndjerës nuk kanë dashur që ajo të varrosej nga familja e bashkëshortit dhe e kanë akuzuar atë për vetëvrasjen e saj dhe jo rrethanat e krijuara nga hapja e një llogarie false në Tik Tok, siç është bërë publike mediatikisht.

Rasti dhe dëshmitë kontradiktore

I arrestuar lidhur me rastin, ka qenë edhe bashkëshorti i saj, Xhemal Loka, ku detajet e para pas rastit, përfshi edhe dëshminë e fëmijëve, bënë me dije se ai ushtronte presion psikologjik të rregullt mbi Bedrie Lokën, duke i shtuar kështu një element shtesë në aktin që ajo kreu.

Por, në dëshminë e tij, Xhemal Loka ka mohuar të ketë ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj.

Përkundrazi, sipas dëshmisë, ai ka provuar që ta shpëtojë bashkëshorten, duke e dërguar atë menjëherë në spital, edhe pse nuk mundi t’i shpëtonte. Ndërsa, fajin kryesor për vetëvrasjen e saj, ia ka hedhur postimeve denigruese në median sociale Tik Tok, ku Bedrie Loka, në fotografi të publikuara pa lejen e saj, përflitej e komentohej me përçmim publikisht.

“Nuk e kam dhunuar gruan. Bashkëshorten e kisha për shtëpi, nuk e çova drejt vetëvrasjes. Vetëvrasja e saj erdhi si pasojë e postimeve të TikTok-ut. Kemi pasur konflikte si çdo familje, por gruan e doja. E kam dashur si nënën e fëmijëve të mi”, ka deklaruar fillimisht Xhemal Loka.

Më tej, ai ka shpjeguar se e ka parë në mëngjes që ajo kishte marrë helm dhe e ka dërguar në spitalin e Durrës për ta shpëtuar, por pa ia dalë.

Ai shtoi më tej se nuk e ka dhunuar bashkëshorten dhe se ka qenë i martuar me të për 23 vite.

Dëshmia e tij gjithsesi bie ndesh me deklarimet e djalit të madh të çiftit, i cili tha para oficerëve të Policisë Gjyqësore se babai e dhunonte nënën fizikisht dhe psikologjikisht gjithë kohës, dhe se e ofendonte atë me fjalët më të rënda.

“Babai në mënyrë sistematike ka dhunuar nënën fizikisht dhe psikologjikisht. Babai e ofendonte nënën me fjalët më të rënda të mundshme”, ka deklaruar ai.

Një deklaratë e ngjashme ishte dhënë edhe nga vajza e çiftit, e cila ka thënë në Polici se babai i saj e dhunonte dhe e shantazhonte vazhdimisht nënën e tyre.

Mesazhe kërcënuese po ashtu janë gjetur në telefonin e Xhemal Lokës, përfshi edhe video që ai i kishte dërguar bashkëshortes së tij.

Teksa, ekspertët e informatikës pranë Policisë së Shtetit po përpiqen të zbulojnë se kush e ka hapur profilin e rremë me fotografitë e Bedrie Lokës në Tik Tok.

Sa i takon 45-vjeçarit Xhemal Loka, ai ka qenë i dënuar për drogë në Francë, më pas është dëbuar nga ky shtet dhe ka emigruar ilegalisht në Greqi.

Aktualisht Xhemal Loka ndodhet pas hekurave, pasi akuzohet se ka çuar drejt vetëvrasjes gruan e tij, ndërsa në banesë i është gjetur dhe arsenal armësh.

Zbardhen të tjera detaje për vetëvrasjen e 41-vjeçares në Durrës, i ishin vjedhur 40 mijë euro nga banesa

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore