Lajme

Veteranët e UÇK-së protestojnë kundër bastisjeve para selisë së EULEX-it


Protesta e veteranëve

Të premten e 15 shtatorit veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u mblodhën para bazës së Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovës për të protestuar sipas tyre bastisjet e paligjshme të Gjykatës Speciale të kryera gjatë ditëve të fundit në Kosovës nëpër shtëpitë e pjesëtarëve të UÇK-së.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të premten kanë kundërshtuar batisjet që hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të asistuar nga EULEX-i, kanë kryer në banesën e dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu.

Gjithashtu kanë kundërshtuar edhe konfiskimin e telefonave të ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ish-të burgosurit politik, Nait Hasani, si dhe Arben Mustafës-vëllait të Salih Mustafës i cili është i dënuar në shkallë të parë nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim.

Në këtë protestë, kryetari në detyrë i OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku gjatë fjalimit të tij ka akuzuar Gjykatën Speciale për shqetësimin ndaj familjarëve të veteranëve të UÇK-së.

Pas fjalimit, veteranët e UÇK-së kanë hedhur disa telefonë në drejtim të hapësirës së EULEX-it, si shenjë proteste.

Në protestë përveç veteranëve të pranishëm ishin anëtarët e Partisë Socialdemokrate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore