Lajme

Vërshojnë uratat për Gorbachev, liderin moskovit të vlerësuar nga Perëndimi, i cili ‘hidhëroi’ rusët


Mikhail Gorbachev nuk ka diskutim se mund të përshkruhet si një ndër figurat politike më të mëdha të shekullit të XX-ë dhe pas një jete të gjatë e të angazhuar deri ditët e fundit, ai ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare, mbrëmjen e 30 gushtit.

Për të, menjëherë pas bërjes publike të lajmit, nisën uratat e liderëve të ndryshëm botërorë, të cilët e kanë vlerësuar gjithnjë si të lartë figurën e Gorbachev-it dhe nuk kanë kursyer asnjëherë elozhet e një njeriu vizionar dhe paqembajtësi global, megjithë faktin se ai ishte një ish-lider sovjetik – i fundit mes tyre.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka qenë ndër të parët, i cili ka reaguar mbi shuarjen e Gorbachev.

“Një njeri me vizion mbresëlënës”, shkroi Biden pas ndarjes nga jeta të Gorbachev-it, duke përmendur se kishte konsideratë të lartë nga Perëndimi, sa i përket reformave që ai ndërmori për të formuar Rusinë moderne.

Sipas Biden, këto janë akte të lideri të rrallë, me një imagjinatë për një të ardhme të ndryshme dhe me kurajën për të rrezikuar gjithë karrierën e tij politike, për ta arritur këtë të ardhme.

Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, nga ana tjetër, shkroi se Gorbachev ishte një burrështetas, i cili ndryshoi kursin e historisë.

Kryeministri në detyrë i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, reagoi po ashtu, duke shkruar se “gjithmonë do ta admironte kurajën dhe integritetin e ish-liderit sovjetik, i cili i dha fund pa gjakderdhje Luftës së Ftohtë”.

Në të njëjtën linjë edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila shkroi se “trashëgimia e Gorbachev është e vetme në llojin e saj”. Kjo, pasi i hapi rrugë një Evrope të lirë.

Si një “burrë i paqes”, e përshkroi nga ana tjetër kreu i Elyseesë, Emmanuel Macron, duke shtuar se angazhimi për paqe i Gorbachev-it, i hapa një shteg lirie rusëve.

Gjithë këto elozhe evropiane gjithsesi, nuk përputhen me atë çfarë mendohet brenda kufijve rusë për ish-shtetarin e lartë.

“Ngushëllimet më të ndjera”. Ky ishte komenti i vetëm i presidentit rus, Vladimir Putin, mbi ndarjen nga jeta të Gorbachev, duke shtuar se do t’i dërgojë një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit ditën e ardhshme.

Pra, një lloj ftohtësie e kuptueshme, duke parë edhe dy vizionet e ndryshme që ata kanë shprehur në të njëjtin rol udhëheqës.

Vetë raportimi nga mediat ruse për vdekjen e Gorbachev-it ka qenë shumë e përmbajtur dhe pa elozhe specifike.

Vdes Mikhail Gorbachev, lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore