Kosova

Vendimi që Sekiraqa të mbrohet në liri – “Gjyqtari Agim Kuç s’u konsultua me anëtarët e trupit gjykues”


Enver Sekiraqa

Gjyqtari Agim Kuçi vendimin më 3 maj për t’u mbrojtur në liri Enver Sekiraqa i dënuar për vrasjen e policit Triumf Riza, e kishte marrë pa u konsultuar me dy anëtarët tjerë të trupit gjykues.

Kështu ka thënë kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” kur është pyetur për këtë çështje.

“Në bazë të aktvendimit evidentohet që gjyqtari Kuqi e ka marrë vet si kryetar i trupit gjykues këtë aktvendim, ku edhe e ka cek në hyrje të aktvendimit duke vendosur sipas detyrës zyrtare jashtë seancës e nuk është nxjerrë aktvendimi në emër të trupit gjykues e jo siç e kërkon dispozita. Ndërsa që aktgjykim burimor nuk ka pas në shkresa të lëndës që të vërtetohet se ka vepruar ndryshe”, tha Rama.

Kryegjyqtarja e Themelorës ka shtuar po ashtu se përveç vendimit të 3 majit 2024 për masë të sigurisë, kur Sekiraqa u la të mbrohet në liri, pa konsultim ishin marrë edhe dy vendime tjera për ndërrim të masës për Sekiraqën.

Shabani-Rama ka potencuar se edhe aktvendimi i datës 15 tetor 2021, përkundër që lënda ka qenë në shqyrtim gjyqësor e që mbrojtja kërkesën për ndërprerje të paraburgimit e kishte bërë në shqyrtim gjyqësor, gjyqtari Kuçi pa u konsultuar me trupin gjykues ka marrë aktvendim për ndërprerje të paraburgimit dhe caktim të masës së arrestit shtëpiak.

Po ashtu, ajo ka theksuar se gjyqtari në fjalë njëjtë pa konsultim me trupin gjykues ka vepruar edhe me vendimin e 9 shkurtit 2024 për ndërprerjen e arrestit shtëpiak duke e zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Albina Shabani-Rama

Të martën, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar gjyqtarin Agim Kuçi, pasi ky i fundit më 9 maj ia kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak Serkiraqës dhe e kishte lënë të mbrohet në liri.

Ndryshe, Sekiraqa është i dënuar tri herë nga gjykatat në Kosovë për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza. Më 17 maj, Gjykata e Apelit mori vendim që ai të paraburgoset, por policia nuk e gjeti në shtëpi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën fajësoi sistemin gjyqësor për arratisjen e Enver Sekiraqës, duke thënë se situata bëhet akoma më e rënduar kur ngjarje të tilla s’ngjajnë më si rastësi, duke mos përmendur faktin që në situatat si në rastin konkret, ka qenë vetë qeveria e tij që u ka dhënë më shumë fuqi gjyqtarëve.

Ngjashëm si Kurti edhe Haxhiu, fajin e hodhi tek sistemi gjyqësor, duke i akuzuar gjyqtarët për “joprofesionalizëm” që po ndikojnë në “,trashje të krimit”, derisa ka vlerësuar se ky rast ngre dyshime për korrupsion.

“Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”, tha ajo.

Polici Triumf Riza, u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga një lokal në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Për vrasjen e tij ishte dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës. Këtij incidenti, siç thonë nga Prokuroria, i kanë paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në “Sëiss Casino” në dhjetor 2006.

Në incidentin në “Sëiss Casino”, ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore