Shqipëria

Vendimet e Këshillit të Ministrave – në fokus rindërtimi, energjia dhe Eurobondi


Këshilli i Ministrave në Shqipëri si çdo javë edhe të mërkurën e 27 tetorit, ka bërë publike vendimet e miratuara.

Rindërtimi, Eurobondi, një agjenci e re për akreditimin dhe certifikimin e profesionistëve, si dhe 10 miliardë lekë për energjinë elektrike, ishin kryefjala e vendimeve.

Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, në fjalën e tij ka bërë me dije se procesi i rindërtimit ka hyrë në një fazë të re.

Ai njoftoi se të gjithë shkollat të ndërtuara ose rikonstruktuara gjatë kësaj periudhe do të kalojnë në pronësi të Bashkive përkatëse.

Ministri e cilësoi këtë muaj si shumë të rëndësishëm, pasi fillon procesi i shpërndarjes së banesave pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Ahmetaj ka shpjeguar se ato do të fillojnë të shpërndahen që nga nëntori dhe se metoda do të jetë e ndarë në dy pjesë.

E para, do të jetë ajo për familjet prioritare. Pra, familjet me nevojën më të madhe, do të përfitojnë banesat të parat.

Nga ana tjetër, për familjet e mbetura, skema do të jetë ajo e shortit publik.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj

“Deri në fund të shtatorit të vitit të kaluar do të jenë shpërndarë të gjitha”, ravijëzoi ai.

Zëvendëskryeministri është shprehur se Bashkitë kanë si detyrim që të fillojnë të organizojnë shortet publike, transparente për t’i shpërndarë apartamentet.

“Vetëm mes 20 dhe 26 nëntor do të shpërndahen gati 1 mijë e 50 apartamente dhe njësi individuale. Deri tani janë shpërndarë gati 1 mijë e 100 njësi individuale dhe gati mbi 800 grande për ‘DS4’ për familjet e dëmtuara”, tha Ahmetaj.

Gjithashtu, ai ka theksuar se do të ketë pagesa për infrastrukturën.

Ahmetaj e ka cilësuar buxhetin e 2022 më të madhin në historinë e Shqipërisë.

Kur u pyet për reformën e ujit, ai njoftoi se kjo do të bëhet së shpejti publike.

10 miliardë lekë për sektorin e Energjisë

Nga ana tjetër, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka njoftuar se janë vënë në dispozicion 10 miliardë lekë për sektorin e energjisë.

Ky vendim u mor me qëllim, mbrojtjen e fashave të abonentëve familjare dhe bizneseve.

“Mungesa e sasive energjetike në treg janë të konsiderueshme në të gjithë Ballkanin”, tha Balluku ndërsa theksin e vuri te prioriteti i qeverisë “Rama 3”, ai i krijimit të mburojës për abonentët familjarë dhe bizneseve.

Gjithashtu njoftoi se janë marrë dhe dy projekt-vendime për shpronësimin që “i hapin rrugë ndërtimit të dy linjave energjetikë të rëndësishme”.

Këto investime janë cilësuar si “kritike” për shkak të emergjencës energjetike.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku

Ajo njoftoi se investime kritike për shkak të emergjencave energjetike, në të tre kompanitë KESH, OSHEE, OST, janë tashmë të ndaluara.

Ndër të tjera, Balluku sqaroi se vetëm investimet kritike që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me rrjetin e shpërndarjes, transmetimit apo të prodhimit, do të vazhdojnë të funksionojnë.

Ndryshimet në VKM-në 822, që  parashikon rregullimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, sipas ministres Balluku, janë bërë “për të lehtësuar investimet vendase” në këtë sektor.

Eurobondi, hyn në treg në fillim të nëntorit

“Eurobondi, i cili pritet të dalë në treg në fillim të muajit nëntor, i është duke u ndjekur dita-ditës si proces”, tha ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Ajo ka njoftuar se dalja në treg nuk është vendosur ende si datë, pasi duhet “të dalim në ditët më të përshtatshme, për të marrë normën më mirë të interesit”.

Ibrahimaj u shpreh se dalja në treg do të bëhet në konsultim me këshilltarët ndërkombëtarë.

Gjithashtu, ministrja ka bërë me dije se është miratuar projektvendimi për nxitjen e punësimit dhe arsimit profesional.

“Sot miratuam një projektvendim që i hap rrugën rritjes së një granti nga qeveria gjermane, prej 1, 25 milionë euro”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj
 Agjencia për akreditimin dhe certifikimin e profesionistëve

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se në Shqipëri do të ngrihet një institucion i ri, i cili jo vetëm do të shkrijë, por dhe do bashkërendojë funksionet.

“Kjo lidhet me akreditimin dhe certifikimin e profesionistëve”, tha ravijëzuar ajo.

Përmes saj do të akreditohen të gjithë institucionet në nivel publik.

Agjencia e re do të fillojë punë në janar të vitit 2022.

Gjithashtu, përmes platformave E-learning dhe digjitalizimit të shërbimeve, do të ketë një klasifikim të të gjitha akreditimeve dhe shërbimeve.

“Të gjitha këto risi lidhen me qasjen shoqërore dhe shëndetësore, për të përmirësuar nivelin e shërbimeve”, theksoi ministrja.

Gjithashtu, ajo solli në vëmendje edhe vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve për dozën e tretë të vaksinimit te personat mbi 60 vjeç.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore