Shqipëria

Veliaj: Dy lagje të reja në Tiranë


“Për shkak të dëmeve të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, njësia 4 dhe 6 do të grupohen në lagje të reja”.

Kështu ka deklaruar Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një takim me qytetarët, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama.

Veliaj pohoi se “ka disa tipologji banesash që po rindërtohen”. Për shkak të këtij faktori, “në disa raste mund t’ia vlejë rigrupimi pranë zonave më të urbanizuara”.

Ky rigrupim po ndodh në disa zona rurale të Tiranës, të cilat përfshijnë njësinë 4 dhe 6. Në pjesën urbane të kombinatit dhe kinostudios ndërkohë, shumica e ndërhyrjeve janë bërë në mënyrë vullnetare.

Kryebashkiaku shpjegoi se “ideja është ajo e një qyteti 10-15 minutësh”. “Në një hapësirë të afërt nga banesa, duhet të gjenden të gjitha shërbimet”, shtoi ai.

Sipas Veliajt, ky rigrupim do të rrisë edhe vlerën e pronave në bursë. “Cilësia e ndërtimit ka filluar ta rrisë çmimin e pronës. Deri tani është rritur gati me 11% në këto zona”.

Ndër të tjera, kryebashkiaku ka theksuar se në Këshillin Bashkiak, janë aprovuar fondet për 199 apartamente në kombinat. 200 shtëpi janë dhënë në gjithë Tiranën dhe të tjera janë në ndërtim e sipër.

Përsa i përket dëmshpërblimeve, janë paguar 452 pagesa për dëmet nga DS1 në DS3 dhe 82 për banesa me dëme DS4.

Kryeministri Rama, ka pohuar gjithashtu se me ndërtimin e lagjeve të reja, banorët të ndihen mirë. “Do të kemi mundësi të planifikojmë gjithçka i duhet një lagjeje me shërbimet më esenciale”, theksoi ai.

“Në vendet e tjera ku është e mundur, do të rindërtohen pallatet ekzistente”, përmbylli kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore