Lajme

Vela – Vulinit: Serbia joshi vendet në Afrikë dhe Lindje të Mesme me donacione të vaksinave që të mos e njohin Kosovën


Blerim Vela, shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

Blerim Vela, shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, pasi ky i fundit tha se Osmani ka gënjyer ku ka thënë se Beogradi u ka ofruar vaksina vendeve të ndryshme në Afrikë me kusht që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Vulin vazhdon të gënjejë duke përdorur gjuhë të urrejtjes. Serbia joshi vendet në Afrikë dhe Lindje të Mesme me donacione të vaksinave që të mos e njohin Kosovën”, ka shkruar Vela në Twitter.

Vela po ashtu ka postuar një lidhje të MPJ-së së Serbisë ku flitet për një donacion prej 40 mijë vaksinave të AstraZenecas që Serbia ia bëri Ugandës.

Ndër të tjera në atë njoftim të MPJ-së së Serbisë thuhet se: “Shefi i Diplomacisë së Serbisë falënderoi bashkëbiseduesin e tij për mbështetjen parimore të Ugandës për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë”.

Ndërkaq Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, kishte thënë se “Serbia dërgoi teste për koronavirus në Prishtinë, ndaj nuk kushtëzoi me asgjë, ashtu siç i dha Prishtinës kalim të papenguar të vaksinave dhe pajisjeve mjekësore, pavarësisht se dokumentet doganore ishin jo të plota dhe të pasakta”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin

“Mijëra shqiptarë, të cilët për shkak të paaftësisë dhe mosinteresimit të pushtetarëve në Prishtinë nuk mundën të vaksinohen, erdhën në Bunajoc, Preshevë, Vranjë dhe morën vaksina falas. Duhet të keni barkun si Vjosa Osmani, që të gëlltisni dhe të thoni një gënjeshtër kaq të madhe për Serbinë”, theksoi Vulin.

Të shtunën, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë, në fjalën e saj ka folur se si Serbia në fushatën e saj për çnjohje të Kosovës ka përdorur çështjen e vaksinave.

Ajo ka thënë se ky shtet merrte vaksinën Sputnik V të Rusisë, dhe ua dërgonte shteteve afrikane në këmbim të çnjohjeje për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore