Lajme

Vatikani duhet ta njohë Kosovën, kërkon Begaj


Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka kërkuar Papa Francesco-s, që Vatikani të njohë zyrtarisht Kosovën, duke ndihmuar kështu në bisedimet e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradin, për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare mes dy shteteve ballkanike.

Kështu ka thënë kreu i shtetit shqiptar, gjatë një interviste për gazetën italiane “Il Tempo”, pas takimit zyrtar me Papën në Vatikan.

“Eksperienca jonë ballkanike na mëson që nuk mund të luhet lojë luftërash në rajonin me të kaluar dhe të sotme problematike. Për këtë arsye duhet dialog i vazhdueshëm, prosperitet ekonomik, energji pozitive për qytetarët tanë”, ka përcaktuar Begaj në bisedë me udhëheqësin shpirtëror të mbi 2 miliardë besimtarëve katolikë.

Megjithatë, si më të rëndësishëm, ai ka përcaktuar projeksionin e mirëfilltë evropian, për të ardhmen e rajonit.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, sipas Begajt, nuk ka pse të përballet me europskepticizmin e brendshëm të disa forcave politike të BE-së, por duhet të jetë e vetmja rrugë për ta bërë të gjithë Ballkanin pjesë të BE-së larg influencës së fuqive të treta në rritje.

Ndaj, në këtë rrymë, ai i ka kërkuar Papës njohjen zyrtare të Kosovës si shtet, për të siguruar të ardhmen e paqtë të rajonit të Ballkanit.

E gjithë kjo, si një përpjekje e selisë së shenjtë, për të qenë pjesë aktive e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, deri në zgjidhjen përfundimtare të të gjitha mosmarrëveshjeve që vendet kanë.

“Kjo njohje do të ndihmonte akoma më shumë përpjekjet për dialog Beograd-Prishtinë që po udhëhiqen sot nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përsiati Begaj.

Teksa në mbyllje, përforcoi faktin se roli i Papës dhe i Selisë së Shenjtë është shumë i rëndësishëm për të shtuar vëmendjen e BE-së dhe të Perëndimit, jo vetëm për të ruajtur paqen në Rajonin e Ballkanit, por edhe për të siguruar të ardhmen Evropiane të Ballkanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore