Sport

VAR-i në Kosovë dhe dyshimet mbi të, analistët flasin për Albanian Post


Në Kosovë, sistemi VAR është implementuar këtë edicion, duke sjell një risi por njëkohësisht një ndryshim të domosdoshëm në futbollin tonë.

Mund të thuhet se kushtet për t’u implementuar nuk ishin më të mirat, por gjithsesi, deri tani VAR-i ka funksionuar shumë mirë.

Gjyqtarët e Superligës gjatë pesë javëve të para janë drejtuar shumë herë për ndihmë të teknologjia, por disa nga vendimet e marra, kanë qenë të dyshimta.

Të paktën, kështu kanë qenë komentet nga klubet e Superligës dhe tifozët e tyre.

Për Albanian Post, ka folur trajneri i moshave të Dritës, Genc Sermaxhaj.

Genc Sermaxhaj, trajner i moshave te Drita dhe analist i futbollit

“VAR-i në Kosovë do duhej të implementohej shumë vite më parë”, filloi Sermaxhaj.

“Në nivelin e futbollit në të cilin jemi ne në ballkan, VAR-i ndihmon t’i dhe t’i qetësoj skuadra që pretendojnë për padrejtësi”.

Edhe pse gjyqtarët i drejtohen shumë shpesh VAR-it, Sermaxhaj thotë që “ata nuk e kanë humbur vetëbesimin, por nuk duan të marrin vendime të nxituara”.

“Sidomos te rastet e penalltive”, thotë Genci, “ata kanë nevojë t’i drejtohen VAR-it që të mos dëmtojnë ndonjë skuadër”.

Për momentet e dyshimta, trajneri i të rinjve të Dritës thotë se futbolli “sjell shumë situata që as VAR-i nuk mund t’i kap”.

“Për këtë arsye vijmë deri te rastet e dyshimta”.

“Por”, vazhdon ai, “përsëri duhet të besohet te vendimi përfundimtar që merr referi”.

Në një rast 50/50, a duhet të vendosë gjyqtari kryesor apo ata në dhomën e VAR?

Për Sermaxhaj, nuk ka asnjë dyshim që duhet të jetë “gjyqtari kryesor”.

VAR-i erdhi, por me të jo edhe infrastruktura sportive, që në Kosovë ende lë për të dëshiruar.

Mënyra se si VAR-i mund të përmirsohet, sipas Genc Sermaxhaj, është pikërisht infrastruktura.

“Gjithashtu”, shton ai, “të sillet mundësia që pozita jashtë loje të dallohet me vija të kuqe dhe blu, që të dallohet më mirë për gjyqtarin, por edhe për shikuesit”.

Për vazhdimësinë e këtij kampionati, që ka filluar me rivalitet të madh, Sermaxhaj preferon që të mos parashikoj asgjë.

“Është kampionati i barabartë, i paparashikueshëm. Kemi shumë ekipe cilësore, andaj është ende herët të flitet për triumfuesin”.

Rreth paqartësisë së sistemit VAR dhe përballjes së gjyqtarëve kosovar me të, për Albanian Post ka folur edhe opinionisti, analisti dhe ish-trajneri i njohur i futbollit, Bylbyl Sokoli.

Bylbyl Sokoli, opinionist, analist dhe ish-trajner i njohur i futbollit kosovar

Lidhja e shpesht me teknologjinë nuk ka të bëjë fare me vetëbesimin, sipas Sokolit.

“Ajo vjen si pasojë e sugjerimeve të shumta nga dhoma e VAR-it”, thotë ai.

“Te VAR-i shumë ka rëndësi se kush është në dhomën e tij”.

“Por”, sipas Sokolit, “numri i rasteve të dyshimta është shumë i vogël në krahasim me sezonet e kaluara”.

Ai beson se me sistemin VAR, dukshëm janë eliminuar edhe gabimet e rënda që ndikojnë negativisht në futbollin tonë.

Mirëpo përkundër ndihmës së madhe që ofron implementimi i kësaj teknologjie, Sokoli nuk ka asnjë dyshim që “vendimi përfundimtar gjithmonë duhet t’i takojë arbitrit kryesor”.

VAR-i në Kosovë ka nevojë për përmirsime, normalisht, dhe për ish-trajnerin Sokoli, zgjidhja është shtimi i numrit të kamerave dhe transparenca me publikun.

“Të jetë më bindës edhe për publikun e thjeshtë që e përcjell takimin”, thotë ai.

Në fund, edhe Sokoli jep parashikimin e tij për këtë sezon të Superligës së Kosovës që premton të jetë i zjarrtë.

“Deri tash, formën më të mirë e kanë Drita, Ballkani dhe Malisheva, por ekip të mirë kanë edhe Gjilani e Prishtina”.

“Është vetëm fillimi i kampionatit, por me lojërat që po shfaqin, Drita dhe Ballkani mund të cilësohen si favoritët kryesorë”, e mbyll Bylbyl Sokoli.

Kur po i drejtohemi javës së gjashtë në Superligën e Kosovës, VAR-i ende duket i paqartë, por padyshim ndihmë e madhe për futbollin tonë.

Se sa do të punohet për përmirsin e tij, mbetet për t’u parë, por të paktën polemikat disa javore pas takimeve të mëdha, janë shuar, një herë e mirë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore