Lajme

Valon Ramadani nuk po bënte shaka – ky është projekti për “super gjyshen”


Valon Ramadani, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e Komunës së Ferizajt.

“Do të organizojmë një aktivitet të përditshëm në bashkëpunim me televizionet, i cili emrin do ta ketë aktiviteti ‘super gjyshja’, ku marrin pjesë gjyshet me nipat apo mbesat e tyre me synim aktivizimin për moshat e treta e jo si i kanë dhënë konotacion ‘miss gjyshja’. Nuk është kuptimi me dal me bo sfilat gjyshet tona”, kështu është deklaruar për Albanian Post, Valon Ramadani, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e Komunës së Ferizajt.

Ai shtoi se edhe për pjesëmarrjen e gjysheve në televizion do të ketë kritere.

“Kriteret qysh kanë me u përzgjedh gjyshet përafërsisht e përcaktojnë ata që e organizojnë. Njëra prej tyre mundet me qenë se cila përrallë është më e mira nga ato që tregojnë gjyshet tona”, thotë Ramadani.

Në media është raportuar për një premtim të padëgjuar më parë nga ana e kandidatëve që garojnë për zgjedhjet lokale.

Ramadani ka thënë se do të organizojë një festival ku do të përzgjidhet ‘Miss Gjyshja’, por që thotë se kjo është analizuar ndryshe në media.

“Na e kemi një plan premtim për vajzat dhe gratë ku në të gjithë fushën janë të ndara dhjetë premtime”.

Ai tutje shprehet se në bazë të plan-programit që kanë formuar do të ketë përkrahje për gratë deri në 20 mijë euro.

“Kanë me u përkrah 50 gra në vit deri në 20 mijë euro grante, kush ka biznes të ri prej grave. Kanë me u hap katër çerdhe në Ferizaj, ku kanë me pas mundësi me shku fëmija në çerdhe sepse në Ferizaj është vetëm një çerdhe”.

Ndryshe, më 15 shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.

Ai është duke u akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore