Shqipëria

Vaksinimi për studentët mund të bëhet i detyrueshëm


“Mund të vijë momenti që, duke pasur parasysh variantin Delta, vaksinimi për studentët të bëhet i detyrueshëm”.

Këtë fakt e ka pohuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një inspektimi që ka kryer në godinën e saporikonstruktuar në Rezidencën Studentore Universitare nr. 2, e cila është gati tashmë për vitin e ri akademik.

Përtej stafit akademik që është thuajse tërësisht i vaksinuar, një detyrim mund të ketë edhe për studentët. Kjo, sipas kryeministrit, është si masë parandaluese për përhapjen e virusit.

Ndaj, frekuentimi i auditorëve, mund të shohë për studentët detyrimin e vaksinimit. Nëpërmjet pasaportave të vaksinimit, do të mundësohet edhe hyrja e tyre në institucionet e arsimit të lartë.

E pranishme në inspektim ka qenë edhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, e cila ka informuar mbi nivelin e vaksinimit të pedagogëve. Sipas saj, pjesa më e madhe e tyre i kanë marrë të dy dozat kundër COVID-19.

Sa u përket godinave të konvikteve studentore, të cilat do të përdoren përkohësisht edhe për refugjatët afganë që pritet të vijnë në Shqipëri, kryeministri e ka ritheksuar faktin se “nuk bëhet fjalë për t’i nxjerrë studentët nga godinat dhe për të futur refugjatët”.

Sipas tij, kjo është një masë e përkohshme, deri në lirimin e strukturave hoteliere. Këto të fundit, janë duke pritur fluksin e fundit të pushuesve gjatë sezonit turistik.

Vetëm në këto godina ndërkohë, priten rreth 540 studentë për fillimin e vitit të ri akademik. Ky i fundit do të nisë në mes të tetorit, ndaj ka kohë të mjaftueshme për marrjen e çdo mase të nevojshme.

Në bazë të kësaj, gjasat më të mëdha janë që mësimi të zhvillohet i plotë në auditore. Kjo, pas një periudhe prej një viti e gjysmë të leksioneve online.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore