Lajme

Vaksinimi i fëmijëve kundër COVID-19 në Kosovë, efektet anësore që mund të kenë


Ilustrim: Vaksinimi i fëmijëve në botë kundër COVID-19.

Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, përmes një njoftimi ka bërë të ditur efektet anësore që mund t’i kenë fëmijët pas marrjes së vaksinës antiCOVID-19.

“Pas marrjes së vaksinës kundër COVID-19, fëmijët mund të kenë disa efekte anësore si dhimbje krahu ose dhimbje koke”, ka bërë të ditur fillimisht Hoti në Facebook.

Tutje, Hoti ka sqaruar se këto shenja janë normale pasi tregon se “trupi i tyre po ndërton mbrojtje kundër COVID-19”.

“Efektet anësore zakonisht zhduken pas 1-2 ditëve dhe janë të ngjashme me efektet anësore të vaksinave të tjera të fëmijërisë”.

Ministria e Shëndetësisë në muajin nëntor miratoi dhënien e vaksinës kundër Coronavirusit të prodhuar nga Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.

Përmes një komunikate për media, Ministria e Shëndetësisë kishte bërë të ditur se vaksinimi i kësaj grup-moshe do të bëhet në gjitha qendrat e Kosovës, por vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor dhe se nuk ka nevojë për caktim të terminit paraprakisht.

Për vaksinimin e fëmijëve të kësaj grup-moshe, prindërit e tyre ose kujdestarët ligjor nuk kanë nevojë të caktojnë paraprakisht termin, por vetëm të paraqiten në qendrën e vaksinimit në komunën përkatëse”, thuhej në njoftimin e MSH-së.

Vaksinimi i fëmijëve në botë kundër COVID-19.

Nga vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë duke vaksinuar fëmijët e kësaj grup-moshe.

Ndërsa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian tashmë kanë miratuar dhënien e vaksinës Pfizer për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.

Më 29 gusht, në Klinikën e Pediatrisë, 13 fëmijë të moshave nga tre muaj deri në 16 vjeç, kanë qenë duke u trajtuar dy prej të cilëve ishin me oksigjenterapi.

Që nga shpërthimi i pandemisë në mars të vitit 2020, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka regjistruar mbi 160 mijë raste të infektimit.

Prej tyre 2 mijë e 980 persona kanë vdekur.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 në mars të këtij viti.

Prej atëherë janë dhënë mbi 1.5 milion doza të vaksinës.

Numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat ka shkuar në 752 mijë e 365, derisa 847 mijë e 7 kanë marrë dozën e parë.

Do të thotë deri më 17 nëntor është vaksinuar plotësisht 41.8 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore