Lajme

Në Kosovë miratohet vaksinimi i fëmijëve 12-15 vjeç kundër COVID-19


Ilustrim: Vaksinimi i fëmijëve në botë kundër COVID-19.

Në Kosovë fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç tani e tutje do të mund të marrin vaksinën kundër COVID-19.

Përmes një komunikate për media, Ministria e Shëndetësisë të martën ka bërë të ditur se vaksinimi i kësaj grup-moshe do të bëhet në gjitha qendrat e Kosovës.

Sipas MSH-së, ky vendim është bazuar në rekomandimet e EMA-s, FDA-së, CDC-së dhe në praktikat e shumë shteteve.

“Përvoja nga shtetet që kanë nisur aplikimin e vaksinës të grup-mosha 12-15 vjeçe, flasin për siguri dhe efikasitet të lartë të kësaj vaksine edhe tek fëmijët, duke i mbrojtur ata nga të gjitha variantet e SARS-COV-2, përderisa efektet e mundshme anësore janë të papërfillshme në raport me përfitimet nga vaksinimi”.

Vaksinimi do të bëhet në prani të prindit apo kujdestarit ligjor dhe se nuk ka nevojë për caktim të terminit paraprakisht.

“Vaksinimi i kësaj grup-moshe mund të bëhet në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor”.

Për vaksinimin e fëmijëve të kësaj grup-moshe, prindërit e tyre ose kujdestarët ligjor nuk kanë nevojë të caktojnë paraprakisht termin, por vetëm të paraqiten në qendrën e vaksinimit në komunën përkatëse”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ilustrim: Vaksinimi i fëmijëve në botë kundër COVID-19.

Nga vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë duke vaksinuar fëmijët e kësaj grup-moshe.

Ndërsa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian tashmë kanë miratuar dhënien e vaksinës Pfizer për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.

Më 29 gusht, në Klinikën e Pediatrisë, 13 fëmijë të moshave nga tre muaj deri në 16 vjeç, kanë qenë duke u trajtuar dy prej të cilëve ishin me oksigjenterapi.

Që nga paraqitja e pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 160 mijë raste të infektimit me Coronavirus.

Prej tyre 2 mijë e 977 persona kanë vdekur.

Prej nisjes së fushatës së vaksinimit 730 mijë e 37 persona janë vaksinuar plotësisht kundër këtij virusi derisa 838 mijë e 946 persona kanë marrë dozën e parë.

Deri më 2 nëntor në orën 15:00 është vaksinuar plotësisht 40.6 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore