Lajme

Vaksina me një dozë Sputnik Light, 79% efikasitet


Rusia ka aprovuar një vaksinë me dozë të vetme Sputnik Light, me pothuajse 80% efikasitet. Shkalla e efikasitetit bazohet në një analizë të të dhënave në botën reale. Kjo deklaratë erdhi të enjten e 6 majit nga Fondi Rus i Investimeve Direkte.

Një injeksion i Sputnik Light “zvogëlon ndjeshëm mundësinë e rasteve të rënda që çojnë në spital”, tha RDIF në deklaratë.

Deri para Sputnik Light e vetmja vaksinë me një dozë ishte Johnson & Johnson. Kjo vaksinë është zhvilluar nga Instituti Gamaleya në Moskë dhe do të kushtojë më pak se 10 dollarë për dozë, siguron Fondi.

Vaksina ruse Sputnik V me dy doza rivalizoi me vaksina të tjera nga kompanitë e SHBA-ve dhe Evropës. Kur Presidenti Vladimir Putin njoftoi gushtin e kaluar se kishte përfunduar vaksinën e parë në botë për përdorim, u shoqërua me skepticizëm.

RDIF-ja tha se më shumë se 20 milionë njerëz në mbarë botën kanë marrë një dozë Sputnik V.

Sputnik V me dy doza do të mbetet vaksina kryesore në Rusi, tha Kirill Dmitriev, shefi ekzekutiv i RDIF, në një intervistë telefonike. Versioni Light “është kryesisht për vendet që kanë një rritje të konsiderueshme të Covid-it”, tha ai.

“Ne presim regjistrimin e Sputnik Light në disa vende që nga java e ardhshme”, tha Dmitriev, duke shtuar se fondi po ndiqte procedurat rregullatore ruse.

Meqenëse vaksina është e njëjtë me dozën e parë të Sputnik V, “ne besojmë se deri në qershor Sputnik Light do të regjistrohet në shumicën e vendeve që regjistruan Sputnik V”, tha Dmitriev në një webinar.

Sputnik Light mund të funksionojë gjithashtu si “një dozë përforcuese” për vaksinat e tjera Covid-19 në mbrojtjen kundër mutacioneve të virusit, duke iu nënshtruar provave shtesë klinike, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore