Shqipëria

Universitetet hapin dyert për studentët (e vaksinuar)


Universitetet publike dhe private në të gjithë Shqipërinë, do të hapin më në fund dyert për studentët, në një skenar më optimist se sa ai i vitit të shkuar, por sërish shumë të çuditshëm dhe të kundërshtuar nga zëra.

Në auditore, ka dy kushte për pjesëmarrje: Të jesh i vaksinuar ose të paraqesësh testin negativ të COVID-19, çdo javë!

Fakti se një vendim i tillë mund të merrej, u bë fillimisht i ditur nga kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës që ai kreu në disa konvikte të rikonstruktuara të studentëve. Më pas vendimi u artikulua më seriozisht nga miunistrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Më tej, ishte ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi, ajo e cila e konfirmoi përfundimisht këtë fakt.

Fillimisht, vendimi nuk u prit mirë as nga strukturat drejtuese të Universitetit të Tiranës. Por, tre ditë përpara fillimit të ciklit Bachelor, ishte rektori i këtij Universiteti, Artan Hoxha, ai i cili i dha fund çdo dyshimi.

Vendimi ishte i prerë, për të kërkuar certifikatë vaksinimi nga studentët.

Një javë e dedikuar e vaksinimit masiv iu la atyre në dispozicion.

Sërish, shumë syresh prej tyre, nuk e kanë marrë dozën kundër COVID-19, për arsye të ndryshme.

Sakaq, pikat e vaksinimit në fakultete, do të vijojnë të mbeten të hapur.

Përtej faktit se alternativa ndaj vaksinimit ekziston, ajo është më e kushtueshme.

Një tjetër opsion, është edhe ai i vërtetimit mjekësor, se personi nuk duhet ta kryejë vaksinën. Por, në rastin e studentëve, diçka e tillë është shumë e vështirë të ndodhë.

Dyert hapen zyrtarisht sot, me shumë studentë që kanë premtuar edhe protesta në oborre, nëse nuk i lejojnë të futen në auditor, pavarësisht mungesës së certifikatës jeshile.

Sa do të ndodhë një lëshim për ta, qoftë fizikisht ose online, mbetet për t’u parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore