Lajme

UNICEF: Mbi 420 fëmijë vriten ose plagosen çdo ditë në Gaza


Më shumë se 420 fëmijë vriten ose plagosen çdo ditë në Rripin e Gazës.

Kështu ka bërë me dije Catherine Russell, drejtoreshë ekzekutive e UNICEF-it.

“Kostoja e vërtetë e këtij përshkallëzimi të fundit do të matet në jetën e fëmijëve”, i ka thënë ajo Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas Russell, në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, thuhet se janë vrarë të paktën 37 fëmijë.

Dhe se më shumë se 30 fëmijë izraelitë thuhet se janë vrarë, ndërsa të paktën 20 fëmijë mbeten peng në Rripin e Gazës dhe “fati i tyre nuk dihet”.

“Situata përkeqësohet çdo orë. Dhe pa mbaruar armiqësitë, kam frikë për fatin e fëmijëve të rajonit”, ka theksuar Russell.

Ndërkohë, ajo i ka drejtuar thirrje Këshillit të Sigurimit që të miratojë “menjëherë” një rezolutë që plotëson tre kritere.

Një rezolutë që bën thirrje për armëpushim, që kërkon që palët të lejojnë akses të sigurt dhe të papenguar humanitar dhe që kërkon lirimin e menjëhershëm të sigurt të të gjithë fëmijëve të marrë peng.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore