Lajme

UNDP: 71 përqind e kosovarëve besojnë se punësimi në Kosovë nuk bëhet me meritokraci


Ilustrim

Raporti i UNDP-së i publikuar këtë të premte, ndër të tjera jep të dhëna edhe për perceptimin e qytetarëve për meritokracinë në punësim, si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat.

Në anketën e opinionit në muajin nëntor të vitit 2022, vlerësohet se 27 përqind e kosovarëve konsiderojnë se punësimi në sektorin publik bëhet në baza meritore, por përqindja e atyre që besojnë që punësimi në sektorin publik nuk bëhet në baza meritore është 71 përqind. Ndër faktorët kryesor që e shkaktojnë këtë fenomen, anketuesit i shohin lidhjet partiake, familjare dhe arsimimin.

“Gjetjet tregojnë një rënie të lehtë të besimit në punësimin në baza meritore krahasuar me prillin e 2022 kur kjo shifër ishte 25%. Të anketuarit i konsiderojnë faktorët vijues kryesorë për punësim në sektorin publik: lidhja partiake (28.1%), lidhjet familjare (28.1%), arsimi (19.4%), ryshfeti (8.6%), shoqëria (6.4%, përvoja profesionale (5.3%), aftësimi profesional (2.5%) dhe, në masë më të vogël, paraqitja (1.8%), dhe gjinia (0.1%). Gjithsej 27% e të anketuarve besojnë se arsimi, aftësimi profesional dhe përvoja profesionale janë faktorët më të rëndësishëm për sigurimin e punësimit në sektorin publik”, thuhet në raport.

Ndërkaq, të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë tregojnë se femrat kanë më shumë besim tek punësimi në bazat meritore në raport me meshkujt, ky dallim ka diferencë gjashtë përdind, 30.02 përqind është për femrat dhe 24.2 përqind për meshkujt.

“Për meshkujt, lidhjet familjare ishin mënyra më e lehtë për punësim në sektorin publik (31.4%), ndërsa për femrat, lidhja partiake ishte mënyra më e dobishme për të gjetur punë në sektorin publik (26.8%)”.

Gjithashtu, të dhënat sipas përkatësisë etnike tregojnë se faktori kyc për sigurimin e punësimit është lidhja partiake, derisa besimin më të ulët për punësim në baza meritore e kanë serbët e Kosovës.

“Për shqiptarët e Kosovës (29.4%) dhe serbët e Kosovës (23.3%), kurse për komunitetet e tjera të Kosovës është arsimi (30%) që e mundëson punësimin në sektorin publik. Ngjashëm me tre anketat e mëparshme (maj 2021, vjeshtë 2021 dhe prill 2022), besimi më i ulët në punësimin në baza meritore gjendet mes serbëve të Kosovës (24.8%), ndjekur nga shqiptarët e Kosovës (26.7%) dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera të Kosovës (41%)”.

Mirëpo, tek sektori privat, në diferencën kohore nga prilli deri në nëntor, ka rritje të besimit në baza meritore për tetë përdind, nga 45 përqind sa ishte në prill, në nëntor qëndron në shifrat e 53 përqind.

“Për të siguruar punësim në sektorin privat: lidhjet familjare (22.4%), miqtë (16.9%), ryshfeti (2.3%), lidhja partiake (1.9%), paraqitja e jashtme (1.9%) dhe, në masë më të vogël, gjinia (0.3%). Përvoja profesionale (37.1%) ishte kriteri më i dobishëm për punësimin në sektorin privat. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë tregojnë se meshkujt (54.5%) kanë më shumë besim në punësimin në baza meritore në sektorin privat sesa femrat (51.6%)”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore