Lajme

Ultra-nacionalisti serb: Plani franko-gjerman duhet të refuzohet, të presim që SHBA dhe NATO të tërhiqen nga Kosova


Boshko Obradoviç

Kreu i lëvizjes ultra-nacionaliste serbe “Dveri”, Boshko Obradoviç, në një intërvistë për mediumin serb “N1”, tha se Serbia duhet të refuzojë planin evropian për normalizimin e raporteve me Kosovën, sepse sipas tij, shkelet Kushtetuta e Serbisë dhe njihet pavarësia e Kosovës.

Obradoviç duke e parë realitetin me syzet e zeza etno-nacionaliste të së kaluarës, ende beson se është e mundur të refuzohet plani franko-gjerman, pavarësisht Perëndimit. Madje, tha se “shqiptarëve të Kosovës duhet t’u ofrohet autonomi substanciale dhe të gëzojnë të gjitha të drejtat më të larta që ka një pakicë në botë”.

“Në bazë të Kushtetutës së Serbisë, Kosova është pjesë integrale e jona. Kosova është krahinë autonome dhe shqiptarët kanë të drejtën e autonomisë substanciale, por jo të pavarësisë, sepse edhe ashtu nuk e njeh gjysma e njerëzimit”.

“Ne po dërgojmë një mesazh të qartë se askush që është në krye të shtetit nuk ka të drejtë të nënshkruajë një dokument të tillë që nënkupton kapitullimin e Serbisë, askush nuk ka të drejtë të shkelë Kushtetutën”, shtoi ai.

Ai bëri të ditur se për këtë arsye blloku i partive ultra të djathta, të cilë vetëquhen “patriotë”, do të organizojë një protestë më 17 mars përballë tempullit të Shën Savës në Beograd, teksa shprehu publikisht dëshirën që Shtetet e Bashkuara dhe NATO të tërhiqen nga Kosova siç bënë në Afganistan.

“Është e qartë se ata [Perëndimi] janë duke nxituar për të përfunduar me Kosovën para se të përfundojë kriza në Ukrainë. Pas përfundimit të luftës do të shfaqen qendra të reja të pushtetit në botë. Plani franko-gjerman duhet të refuzohet dhe ne duhet të presim mundësi më të favorshme gjeopolitike”, tha ai.

Ndryshe, një konglomerat i partive ultra-nacionaliste me elemente fashiste, siç janë “Dveri”, “Zavetnici”, “Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë” dhe “Partia e Re Demokratike”, kanë nisur kohë më parë fushatën e tyre kundër planit franko-gjerman.

Fushata e tyre nuk është vetëm kundër propozimit të Bashkimit Evropian i cili ka për synim normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe kundër pushtetit aktual në Serbi, pra Aleksandër Vuçiç-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore