Shqipëria

Ulqinaku: Dështuam për të disatën herë me pandeminë


Dritan Ulqinaku, Zëvendës drejtor i Institutit të Shëndetit Publik

“Dështuam për të disatën herë me pandeminë, për shkak të shumë aspekteve”.

Kjo ka qenë deklarata e epidemiologut, Dritan Ulqinaku, në një intervistë per ABC, dhënë mëngjesin e ditës së enjte.

“Dështuam me shtrëngimin e masave. Për dhjetë muaj kemi menduar se jo të gjithë i kapte virusi. Mbas dhjetorit pamë një aspekt tjetër, ku virusi infektonte një familje të tërë me një person që e sillte në shtëpi”.

Frikë ndërkohë, është përçuar nga Ulqinaku ndërkohë, mbi rrezikun e ardhjes së mutacionit britanik në Shqipëri. “Kalimi mbi 1 mijë të infektuar mund të ketë ardhur nga virusi anglez. Ai është më i transmetueshëm”, cilësoi epidemiologu.

Ulqinaku specifikoi se ishte periudha pas vitit të ri, ajo e cila mund të ketë bërë shtytjen kryesore të rritjes së rasteve. “Grumbullime masive nuk ka pasur, por familjare po. Në këtë mënyrë, brenda rrathëve të ngushtë familjare, mund të jetë transmetuar”.

Ndër të tjera, ai shtoi se edhe “simptomatikat kanë ndryshuar me variantin e ri”. “Nuhatja dhe shijimi vazhdojnë të jenë tregues. Më së shumti gjithsesi, është mungesa e fuqive, shënjues i variantit të ri”.

Dyshimet për variantit e ri, sipas epidemiologut, është shumë i mundshëm edhe për shkak të mbërritjes së tij në vendet fqinje. Mbi të gjitha, për faktin se në Shqipëri, “kalojnë kufirin rreth 3-4 mijë njerëz në ditë”.

Situata e Covid në rajon dhe Evropë

Situata e vështirë e përballimit të pandemisë ka qenë jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Për shkak të ndryshimeve të shumta të situatave, çdo qeveri në vetvete ka pësuar dështime.

Maqedonia e Veriut ka pasur situatë të ngjashme epidemiologjike me Shqipërinë. Më 28 janar, Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, deklaroi se mutacioni britanik ishte zbuluar tek një pacient 46 vjeçar.

Mutacioni është shfaqur më herët në shtete të tjera Evropiane, me të cilat Shqipëria ka pasur kufijtë e hapur. Hyrje daljet më të mëdha, kanë qenë me Italinë.

Vështirësi në menaxhimin e situatës, ka shprehur edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Bashkimi Evropian ka pasur vështirë në menaxhimin e rasteve dhe më pas në shpërndarjen e vaksinës.

Në mars 2021, plotësohet viti nën efektin e pandemisë. Covid-19 vazhdon të shkaktojë dëme jo vetëm në shëndet, por edhe në ekonomi. Ky shtrëngim i masave në Shqipëri, do të jetë përcaktues në rrjedhën që do të marrë trajektorja e virusit gjatë pranverës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore