Kosova

Ulja e pensioneve – AAK-ja fton në interpelancë ministrin Murati


Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, përmes një statusi në Facebook ka thënë se Grupi Parlamentar i AAK-së do ta ftojë në interpelancë në Kuvendin e Kosovës Ministrin e Financave Hekuran Murati, pasi ky i fundit bëri t’i uljen e shtesave për pensionistët.

‘Javën e kaluar ishim dëshmitarë të një padrejtësie që iu bë pensionisteve nga Qeveria e Kosovës. Nuk mjaftoi paaftësia për t’i siguruar vaksinat për ta, ku kjo kategori shoqërore janë̈ kategoria më e rrezikuar nga Covid-19. Për ta rënduar edhe më tej gjendjen e tyre, tani edhe në aspektin financiar përveç̧ atij shëndetësor, kjo qeveri paturpësisht vendosi që t’i ulë shtesat e pensioneve për ta për 1/3 nga shtesa e merituar nga qeveria e kaluar.

Sipas tij “ky vendim e dëmton tej mase gjendjen e pensionistëve, që njihet si kategoria me gjendjen më të rëndë sociale”.

Tahiri ka thënë se përveç̧ që është jonjerëzore, është mashtrim që të marrësh vota me premtime për rritje të pensioneve, e t’i ulesh ato që në ditët e para të qeverisjes.

Ndërkohë, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar vendimin për uljen e pensioneve

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se nga pakoja prej 20 milionë euro e miratuar në qeveri, pjesa më e madhe e saj, 8.5 milionë euro janë ndarë për të mbështetur skemat e pensioneve që marrin nën 100 euro, si dhe familjet në asistencë sociale.

Ndërkaq sa u përket shtesave për pensionet bazike, Murati ka shtuar se Qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj janar, shkurt dhe mars dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi.

“Me pakon e re, kemi shtuar 8.5 milion euro, aty ku qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 euro shtesa. Pra për muajt prill e tutje, nuk ka pasur shtesa të planifikuara. Krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratuar në Kuvend. Ministria, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro”, ka shkruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore