Lajme

Ukraina, një vit luftë për liri


Dikur Fatos Nano do të thoshte në një nga fjalimet e tij se “destabilizimi i Ballkanit do të thotë të destabilizosh Evropën”.

Është një koncept që në Bruksel e kanë kuptuar mirë një vit pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Sot stabiliteti i rajonit është bërë prioriteti absolut i Bashkimit dhe zgjerimi me vendet e juglindjes është instrumenti i zgjedhur për ta arritur atë.

Temë jo me pak rëndësi për të cilën u fol edhe në Konferencën e fundit të Mynihut. Nuk bëhet më fjalë për shtete tampon, por për shtete në kufi të cilët sa më shpejt duhen përfshirë. Ndërkohë Amerika dhe BE-ja po forcojnë praninë e tyre ushtarake në rajon.

Ky vit lufte ka prodhuar të paktën 100 mijë të vdekur dhe pesë milionë refugjatë, duke sjellë në skenën evropiane përsëri, tetëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, krime kundër njerëzimit, tortura, përdhunime dhe shkatërrime. Edhe nëse shifra që më shumë të fut makthin është ajo e 200 mijë fëmijëve ukrainas të rrëmbyer dhe grabitur nga Rusia.

Por për Rusinë bëhet fjalë për “një luftë ekzistenciale” rezultatet e së cilës kanë pasojë direkte në mbijetesën e vendit. Kështu Vladimir Putin vazhdon të promovojë ofensiva të reja që rregullisht përballohen nga ushtria ukrainase e mbështetur nga SHBA-të dhe vendet e NATO-s.

Ekspertët parashikojnë se konflikti nuk ka një fund të shpejtë dhe mund të vazhdojë edhe për një vit. Ndërkohë, udhëheqësi i Kremlinit po lëshon kërcënime të reja ndaj vendeve në kufi me Rusinë dhe NATO-n.

Me një lajmërim të nesërmen e fjalimit të Putin-it mbi gjendjen e kombit, Kremlini revokoi dekretin për sovranitetin e Moldavisë ku ditë më parë kanë filluar demonstratat e para të popullsisë pro-ruse që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë pro evropiane dhe ku trupat e Kremlinit të vendosura në Transistria janë një rrezik aktual. Moldavia është një hap larg nga republikat baltike (Estonia, Letonia dhe Lituania) në lidhje me të cilat Kremlini nuk ka braktisur kurrë planet e tij për ri-aneksim.

Në sipërfaqe është shfaqur dhe flitet gjithashtu për një plan të Kremlinit që parashikon përfshirjen e Bjellorusisë në Federatën Ruse drejt planit të Puntinit në rikthimin e madhështisë ruse.

Dhe për të folur për Ballkanin, mjafton të themi se, sapo kryeministri serb Aleksandar Vuçiç la të kuptohet për mundësinë e vendosjes së sanksioneve evropiane kundër Rusisë, nacionalistët e Republikës Serbe dolën në rrugë duke e akuzuar atë për “tradhti”. Madje duke pretenduar ri-aneksimin e Kosovës.

Njëjtë kur foli për mundësinë e pranimit të planit franko-gjerman për Kosovën, ai u sulmua në Parlament nga partitë opozitare duke krijuar turbullira, reale apo te inskenuara qofshin ato.

Nën shtytjen e pansllavizmit rus, Ballkani mund të bëhet edhe një herë ai “inkubatori i luftërave” për të cilin flisnim dikur, pikërisht në kufinjtë e Evropës. Dhe nacionalistët serbë mund të jenë krahu i zgjatur i Moskës.

Për këtë arsye, Uashingtoni dhe Brukseli i kanë vendosur ultimatum dy liderëve ballkanikë dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të nisur procesin e marrëveshjes Prishtinë-Beograd.

Në konfliktin e vazhdueshëm me Rusinë, Perëndimi ka nevojë të sigurojë urgjentisht të paktën Ballkanin duke çaktivizuar atë bombë me sahat të quajtur nacionalizëm serb.

Futja e Serbisë brenda sferës së Unionit do të ishte një lëvizje e rëndësishme në favor të Brukselit në lojën me Moskën.

Nga ana tjetër, siç nënvizoi me forcë presidenti Biden në Varshavë, agresioni rus kundër Ukrainës ka konsoliduar marrëdhëniet brenda BE-së, NATO-s dhe mes tyre dhe SHBA-ve. Jo vetëm kaq, BE, NATO dhe SHBA po zgjerojnë zonën e tyre të ndikimit në Lindje.

Nëse për Putin lufta që po zhvillohet në Ukrainë është një luftë ekzistenciale për mbijetesën e modelit rus, për Biden dhe aleatët e tij është po aq një konflikt për mbrojtjen e modelit të demokracive perëndimore kundër diktaturave.

Disa nga autarkikë më të fuqishme në botë e gjejnë veten në linjë me Putin-in sot: Irani, Siria, Koreja e Veriut dhe Kina. Të bashkuar nga refuzimi i të drejtave të njeriut si vlera universale, refuzimi i sistemit demokratik dhe atij “modeli perëndimor” i cili është për t’u refuzuar sepse një imponim i supozuar neo-imperialist.

Mjafton të lexohet me kujdes përmbajtja e kërkesave të grave dhe të rinjve iranianë që rrezikojnë jetën për të protestuar kundër regjimit të Ajatollahëve, për të kuptuar se për çfarë po luftojnë ukrainasit me mbështetjen e gjithë Perëndimit.

E gjitha është brenda një fjale të vetme që jehon në rrugët e Teheranit dhe që Biden e ka shqiptuar dhjetëra herë nga Kështjella e Varshavës: “Liri”.

Të vishesh, të lyhesh, të dëgjosh apo t’i biesh muzikës, të pikturosh, të kërcesh, të mendosh dhe thuash lirshëm atë që dëshiron, të organizohesh, të protestosh, të marrësh pjesë në jetën shoqërore… a nuk ia vlen të luftohet për të gjitha këto?

Sigurisht që ky vit ka pasur pasoja, kemi parë rritje të inflacionit, disa kanë vuajtur nga i ftohti dhe kanë paguar fatura të ekzagjeruara, benzina është kthyer në një produkt luksi… Por mund të themi se, nëse këto sakrifica janë çmimi që duhet paguar për të qenë të lirë, ndoshta është një faturë që ja vlen të paguhet.

Ne në Shqipëri, modelin ideologjik Putinian e kemi përjetuar në lëkurë prej dekadash dhe ende jemi duke e paguar.

Por ndërsa flasim për diktaturat aleate me Putin-in në këtë sulm ndaj Perëndimit, një diskutim i veçantë i duhet dedikuar Kinës. Gabon kush e sheh luftën aktuale si një krizë akute brenda skemës së Jaltës.

Rusia sot nuk është superfuqia tjetër që ndan botën me Shtetet e Bashkuara. Federata Ruse e sotshme është një xhuxh ekonomik (ka të njëjtin PPB si Bullgaria, e cila është e fundit në Evropë), ajo sot është e izoluar politikisht në botë dhe, siç tregojnë ngjarjet në Ukrainë, nuk është as ajo fuqi ushtarake që na kishte bërë të besonim se ishte.

Superfuqia tjetër e madhe në përballje me SHBA-të prej kohësh tashmë është Kina, e cila ka një ekonomi të fuqishme, ndikim politik në rritje në botë dhe madje një sistem ushtarak më efikas se ai i Rusisë.

Është Kina ajo që deri më tani ka parandaluar kolapsin e ekonomisë ruse nën goditjet e sanksioneve perëndimore. Dhe nëse Kina ose do të mbështeste Rusinë ushtarakisht ose do të vepronte si garantuese për një marrëveshje paqeje që i jep fund konfliktit, Moska në atë moment do të kthehej menjëherë në një protektorat të Pekinit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore