Lajme

“Ukraina do ta kujtojë se kush e mbështeti”


Vendet që “e keqtrajtuan Ukrainën” do të mbajnë përgjegjësi pas përfundimit të luftës.

Ky është paralajmërimi i ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Ai, në një intervistë për median britanike “BBC”, ka thënë se zgjedhja e bërë nga çdo komb pas pushtimit të plotë të Rusisë “do të merret parasysh në ndërtimin e marrëdhënieve të ardhshme”.

Po ashtu ka paralajmëruar se vendet e dërgesave të armëve perëndimore do të kushtonin jetë ukrainase. “Nëse një dërgesë shtyhet për një ditë, do të thotë se dikush do të vdesë në vijën e parë”.

Sakaq, Kuleba ka diskutuar se si beson se do të përfundojë lufta, rolin e Kinës në luftë dhe zhgënjimin e tij që Papa Françesku nuk e ka vizituar ende vendin e tij në kohë lufte.

Intervistën për “BBC”-në, ai e ka dhënë në Ministrinë e Jashtme në zemër të Kievit, tani të mbrojtur nga thasë me rërë dhe roje të armatosura.

Edhe pse Ukraina ka marrë mbështetje ushtarake dhe ekonomike nga fuqitë perëndimore që nga pushtimi i Rusisë, shumë vende në Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut kanë qëndruar mënjanë.

Disa janë historikisht dashamirës ndaj Rusisë, disa janë të shqetësuar për kostot ekonomike të luftës dhe të tjerë besojnë se Perëndimi po i zgjat luftimet në mënyrë të panevojshme.

Por Kuleba e bëri të qartë se vendet që dështuan ta mbështesin Ukrainën, vende të cilat ishin “sjellë keq në rrjedhën e kësaj lufte dhe e keqtrajtuan Ukrainën”, do të paguajnë një çmim në të ardhmen.

Ukraina mund të jetë e varur nga ndihma perëndimore dhe mbështetja ushtarake në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe mosmiratimi i saj diplomatik mund të mos shqetësojë disa vende.

Por në kohë paqeje, eksportet e mëdha të grurit të Ukrainës i japin asaj një levë të konsiderueshme ekonomike, veçanërisht në pjesë të botës në zhvillim.

“Nëse dikush në botë mendon se mënyra se si u soll ky apo ai vend – ose e trajtoi Ukrainën në momentin më të errët të historisë së saj – nuk do të merret parasysh në ndërtimin e marrëdhënieve të ardhshme, këta njerëz thjesht nuk e dinë se si funksionon diplomacia”, ka thënë ai.

“Lufta është një kohë kur ju duhet të bëni një zgjedhje. Dhe çdo zgjedhje është regjistruar”, ka ravijëzuar ai.

Sipas Kuleba-s, aleatët perëndimorë nuk po i jepnin Ukrainës mbështetje ushtarake shpejt, sepse ata nuk kishin qenë gati për një konflikt në të njëjtën shkallë si Lufta e Parë Botërore. Dhe çka i duheshin ishin predha artilerie.

“Ne duam që partnerët të veprojnë më shpejt. Dhe nëse shtyhet për një ditë, do të thotë se dikush do të vdesë në vijën e parë. Kjo do të thotë që dikush që mund të kishte qenë ende gjallë do të vdesë”, ka përsëritur ai.

Askund kërkesa për municion nuk ka qenë më e madhe se në qytetin lindor të Bakhmut-it, ku forcat ukrainase janë përballur për më shumë se shtatë muaj kundër përpjekjeve të përsëritura ruse për të pushtuar qytetin.

Dhe për të, kjo ishte “emocionalisht shumë sfiduese’ për shkak të humbjeve të pësuara.

Por nëse Bakhmut-i binte, atëherë qytetet e tjera do të ishin të radhës: “Pra, për të shpëtuar jetë atje, duhet të luftojmë në Bakhmut për aq kohë sa të mundemi fizikisht”.

Nuk kishte asnjë shenjë, sipas tij, se Rusia ishte e gatshme të negocionte për t’i dhënë fund luftimeve, por “çdo luftë përfundon në tryezën e bisedimeve…qëllimi im si ministër i Jashtëm është të sigurohem që Ukraina të arrijë në tryezë pas një suksesi përcaktues në fushën e betejës”.

Dhe kjo përfshin ndërtimin e koalicionit më të fortë të mundshëm të mbështetjes, një aleancë që ai mendon se nuk përfshin Papën.

Kuleba ka thënë se nuk ishte për të, por për Zotin që të gjykonte Atin e Shenjtë: ‘Na vjen thellësisht keq që Papa nuk ka gjetur një mundësi për të vizituar Ukrainën që nga fillimi i luftës”.

Kina gjithashtu, deri më tani i ka rezistuar lobimit të Ukrainës për një takim midis Presidentit të Kinës Xi Jinping dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, paçka se Pekini konfirmoi se udhëheqësi i Kinës do të vizitojë Moskën javën e ardhshme.

Kuleba ka theksuar se presidenti i tij ka qenë gati për një bisedë telefonike me Xi dhe se nuk mendon që “Kina ka arritur tani momentin për të qenë gati të armatosë Rusinë”.

Sa i përket SHBA-ve, disa analistë kanë spekuluar se mbështetja për Ukrainën mund të ulet pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

“Mendoj se ne mund t’i mbijetojmë çdo zëri republikan dhe luksi më i madh që Ukraina gëzon në SHBA është mbështetja dypartiake në kampet demokratike dhe republikane”, ka këmbëngulur Kuleba.

Si kryediplomati i vendit të tij, ai mbetet i bindur se Ukraina mund të mbajë mbështetjen e aleatëve që kanë rëndësi, të atyre që ofrojnë mbështetje të prekshme.

Dhe se Ukraina ka një faktor vendimtar në anën e saj: “Historikisht, Ukraina u nënvlerësua padrejtësisht dhe më vjen keq që u desh gjakderdhje dhe një luftë shkatërruese për të na kuptuar se si jemi”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore