Lajme

Ukraina dhe Rusia bien dakord të krijojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve


Në raundin e dytë të bisedimeve, Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të krijojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve.

Të paktën kështu kanë bërë me dije negociatorët nga të dyja palët.

Pas bisedimeve që u zhvilluan në kufirin Poloni-Bjellorusi, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak ka zbuluar se bisedimet me Rusinë nuk kishin dhënë rezultatet që Kievi shpresonte.

Por ai ka shtuar se të dyja palët kanë parashikuar një armëpushim të mundshëm të përkohshëm për të lejuar evakuimin e civilëve.

“Jo kudo, por vetëm në ato vende ku do të vendosen vetë korridoret humanitare, do të jetë e mundur të pushohet zjarri për kohëzgjatjen e evakuimit”, ka zbuluar ai.

Nga pala ruse, negociatori kryesor i Rusisë dhe ish-ministri i kulturës Vladimir Medinsky ka thënë se “çështja kryesore për të cilën vendosëm ishte çështja e shpëtimit të njerëzve, civilëve, që ndodhen në zonën e përleshjeve ushtarake”.

“Rusia u bën thirrje civilëve që gjenden në këtë situatë, nëse vazhdojnë veprimet ushtarake, të përdorin këto korridore humanitare”, ka vijuar ai.

Një tjetër negociator rus, ligjvënësi nacionalist Leonid Slutsky, ka thënë se marrëveshjet do të “zbatohen në të ardhmen e afërt”.

Bisedimet e sotme shënojnë herën e parë që Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për çdo formë progresi për çdo çështje që kur Rusia nisi sulmin.

Sakaq, një raund i tretë bisedimesh do të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme, sipas Podolyak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore