Euro 2020

Uellsi përballë Zvicrës, një histori me pak lavdi


Uellsi do të ketë përballë Zvicrën në ditën e dytë të Euro 2020. Ndeshja do të luhet duke filluar nga ora 15:00 në “Olympic Stadium” në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit. Të pranishëm pritet të jenë rreth 34 mijë e 350 tifozë, pasi stadiumi do të hapet në 50% të kapacitetit të tij.

Të dy ekipet kombëtare janë pjesë e Grupit A, së bashku me Italinë dhe Turqinë. Italia momentalisht pas fitores 0-3 me Turqinë, po udhëheq grupin.

Uellsi dhe Zvicëra kanë qenë pjesë edhe në Euro 2016, në Francë. Atë Evropian, Uellsi arriti të shkonte deri në gjysmëfinale, ku u mund nga Portugalia (2-0), e cila fitoi edhe Euro 2016. Zvicëra u eleminua në raundin e të 16-ve nga Polonia pas ekzekutimit të 11 metershave (4-5 pen.).

Në pesë ndeshjet e fundit mes tyre, Uellsi ka fituar vetëm një herë, ndeshjen e fundit, e luajtur për kualifikueset e Euro 2012. Katër ndeshjet e tjera i ka fituar Zvicra.

Për Uellsin kjo është hera e dytë që kualifikohet për në ndeshjet finale të Evropianit, pas Euro 2016. Më herët, Uellsi i kishte shkuar pranë kualifikimit në Euro 1976, por u mposht nga Jugosllavia (1-1/ 2-1).

Përsa i përket turneve madhor të UEFA dhe FIFA, ky kompeticion i Euro 2020 do të jetë i treti për Uellsin. Ata ishin dhe pjesë e Kupës së Botës 1958, ku u eleminuan në çerekfinale nga Brazili (1-0) fitues.

Zvicra e ka herën e pestë që kualifikohet në ndeshjet finale të një Evropiani dhe të gjitha kualifikimet kanë ardhur në shtatë edicionet e fundit. Evropianet ku ka marrë pjesë kombëtarja zviceriane janë: Euro 1996, 2004, 2008, 2016 dhe 2020.

Gjithashtu, për Zvicrën kjo është paraqitja e katërt rresht në një kompeticion madhor të UEFA dhe FIFA, pasi ishin pjesë e Kupës së Botës 2014, Euro 2016, Kupës së Botes 2018 dhe Euro 2020.

Ndeshjen e fundit që ka luajtur Uellsi, përpara Euro 2020, e ka pasur përballë Shqipërisë, e përfunduar 0-0. Zvicra ndeshjen e fundit e ka luajtur përballë Lihtenshtajnit, të cilën e ka fituar me rezultatin 7-0.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore