Lajme

Udhëtimi hipersonik me një avion pasagjerësh nuk është edhe aq ide e çmendur


Një udhëtim hipersonik do ta çonte një avion nga New York-u në Londër në vetëm 90 minuta, krahasuar me gjashtë deri në shtatë orë për një avion të rregullt pasagjerësh.

Hermeus, një kompani me bazë në Atlanta, qëllimi i së cilës është të zhvillojë avionë hipersonikë, beson se kjo është më se e mundur.

Agjencia e lajmeve, “CNN”, tregon se kompania është duke testuar një lloj të ri të motorit që besohet se do të jetë i aftë të arrijë një shpejtësi mbi tre mijë milje për orë.

Ky motor është projektuar për një aeroplan të vogël hipersonik pa pilot që kompania është duke krijuar për Forcat Ajrore të SHBA-ve.

Ndërkohë, për aeroplanin e pasagjerëve, Hermeus shpreson ta ngrejë për fluturimin e parë testues në vitin 2029.

Ai do të jetë shumë më i vogël se avionët aktualë, zbulon “CNN”.

“Për të na ndihmuar në madhësinë e avionit, në thelb kemi ndërtuar një model biznesi për një kompani ajrore”, ka treguar AJ Piplica, shefi ekzekutiv i Hermeus.

“U përqendruam në klasën e biznesit dhe udhëtarët e klasit të parë dhe më pas luajtëm me disa parametra të tillë si shpejtësia dhe kostot e funksionimit. Ajo që doli ishte një aeroplan me një kabinë prej 20 pasagjerësh”, ka vijuar ai.

Nga ana tjetër, ka shtuar se “presim që të jetë fitimprurës me çmimet e sotme të klasit të biznesit”.

Për të, është e vështirë të vlerësosh se sa njerëz do të jenë të gatshëm të paguajnë për të fluturuar pesë herë më shpejt.

Më shpejt se kurrë

Gama e avionit do të jetë afro katër mijë milje detare,

“CNN” dallon se kjo është e mjaftueshme për itineraret transatlantike si New York në Paris, por jo për itineraret transoqeanike si Los Angeles në Tokyo, të cilat do të kërkonin një ndalesë.

Aeroplani i propozuar i pasagjerëve nga Hermeus, do të arrijë të mundë rekordin aktual për aeroplanin më të shpejtë me një diferencë të madhe dhe duke fluturuar për një kohë të gjatë në tre mijë milje për orë.

Sipas “CNN’, testet kanë nisur që në shkurt 2020 për një lloj të ri të modelit të motorit, bazuar në një model ekzistues të përdorur në avionët luftarakë dhe të prodhuar nga General Electric.

Pritet që avioni të jetë një hibrid i dy teknologjive tradicionale: një që është i ngjashëm me atë që përdorin avionët dhe një lloj motori që punon vetëm me shpejtësi supersonike dhe më shumë.

Fillimisht, motori do të fuqizojë Quarterhorse, dronin hipersonik që Hermeus po zhvillon përmes një partneriteti prej 60 milionë dollarësh me Forcat Ajrore të SHBA-ve.

I pari do të shërbejë gjatë ngritjes dhe uljes, kurse motori tjetër do të rikonfigurohet kur shpejtësi rritet deri në maksimalen e mundshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore