Lajme

Nga Ballkani në Paqësor, ligjvënësit u kërkojnë aleatëve të NATO-s të rrisin bashkëpunimin


Aleatët e NATO-s duhet të rrisin bashkëpunimin me partnerët demokratikë nga Ballkani Perëndimor.

Kjo për të kundërshtuar përpjekjet e fuqive autoritare për të zgjeruar ndikimin e tyre global dhe për të sfiduar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Kështu të paktën deklaruan një ditë më parë, ligjvënësit nga e gjithë aleanca.

Draft-raportet mbi sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe domosdoshmërinë që aleatët të ndërtojnë partneritete të bazuara në vlera me forcat demokratike në rajonin aziatik ishin në krye të agjendës në ditën e hapjes së Sesionit Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mbajtur në Sofje.

Lufta e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës u shfaq gjithashtu fuqishëm në ditën e hapjes, së bashku me diskutimin mbi nevojën për të forcuar kontrollet mbi teknologjinë e ndjeshme për të parandaluar Rusinë të anashkalojë sanksionet dhe të ndalojë Kinën të fitojë një avantazh teknologjik ndaj aleatëve.

Kërcënimet dhe sfidat e paraqitura nga Rusia dhe Kina ishin një temë e zakonshme që mbizotëroi nëpër debatet e Asamblesë.

“Moska e përdor ndikimin e saj jo vetëm për të formësuar politikën rajonale, por për të pasur ndikim më të gjerë edhe në Evropë”, shkruan Lord Lancaster, nga Mbretëria e Bashkuar në draft raportin e tij për Ballkanin Perëndimor.

Ai paralajmëroi se, një nga objektivat kryesore të Rusisë ishte “të parandalojë integrimin euroatlantik të rajonit”.

Megjithatë, fuqia ekonomike e Kinës do të thotë se, ajo po e zhvendos Rusinë si lojtarin kryesor joperëndimor në rajon, thotë raporti i hartuar për Komitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë (DSC).

“Ndërsa mund të kenë objektiva të ndryshëm rajonalë, Moska dhe Pekini janë të rreshtuar në përpjekjet e tyre më të gjera kundër Perëndimit, të cilat përfshijnë ndarjen e konsensusit dhe bllokimin e konsolidimit të Euro-Atlantikut”.

Lancaster bëri thirrje për një angazhim të ripërtërirë të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor.

Në rajonin e Indo-Paqësorit, një draft-raport i autorizuar nga kongresmeni amerikan, Neal Patrick Dunn, vuri në dukje se aleatët “njohin kërcënimet dhe sfidat që Kina paraqet për stabilitetin global” përmes “qëndrimit të saj ushtarak agresiv në Detin e Kinës Jugore.

Për të mbrojtur vlerat dhe interesat e tyre në rajon, drafti i Dunn për Komitetin e Ekonomisë dhe Sigurisë (ESC) u kërkoi aleatëve të NATO-s të forconin lidhjet me partnerët indo-paqësor me mendje të njëjtë.

Angazhimi rajonal mund të përfshijë hapjen e një zyre ndërlidhëse të NATO-s në Japoni.

Në të njëjtën kohë, aleatët duhet të angazhohen me Pekinin aty ku është e mundur dhe të kërkojnë “mjete ndikuese për ndërtimin e besimit me Kinën”.

Në një draft-raport të veçantë për ESC-në, anëtarja britanike e Parlamentit Harriett Baldwin rekomandoi aleatët të vendosin kontrolle më të rrepta të eksportit mbi teknologjitë e ndjeshme me përdorim të dyfishtë.

Kjo për të parandaluar rivalët strategjikë të blejnë teknologji të avancuar ushtarake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore