Lajme

Turqia nuk i pranon ngushëllimet amerikane për sulmin në Stamboll


Nuk do të pranohet asnjë mesazh ngushëllimi nga pala amerikane për sulmin e 13 nëntorit në Stamboll, i cili i mori jetën gjashtë personave dhe plagosi 81 të tjerë.

Kështu ka thënë ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, gjatë një fjale të tijën për media, ku ka theksuar se vendet, të cilat e kanë mbështetur vetë Partinë Popullore të Kurdëve (PKK), të cilën Turqia e ka shpallur organizatë terroriste, nuk kanë vend në mesazhet e ngushëllimit.

Ankaraja e ka akuzuar edhe më parë Amerikën si furnizuese kryesore me armatime e PKK-së, ndaj edhe vjen ky reagim nga ministri i Brendshëm, pas mesazheve të ngushëllimit nga të gjitha vendet e botës.

Autorja e dyshuar e sulmit me bombë në afërsi të sheshit Taksim, është identifikuar si një shtetase siriane, Ahlam Albashir, e cila është arrestuar së bashku me 21 persona të tjerë, po pjesë e organizatës.

Albashir dyshohet se ka vendosur çantën me bombë në vendin ku ndodhi shpërthimi.

Sipas zyrtarit të lartë turk, sulmi është urdhëruar nga një bazë kurdë në qytetin Kobani, i cili gjendet në kufirin verior me Sirinë.

Ankaraja zyrtare, më parë, ka ndërmarrë operacione të ndryshme kundër militantëve kurdë sirianë, në këtë zonë.

Ndërkohë, mbi situatën me të plagosurit, 50 syresh janë larguar nga spitali me lëndime të lehta, ndërsa 31 të tjerë po vijojnë të marrin mbikëqyrjen e nevojshme mjekësore.

Kjo nuk ka qenë hera e parë që Stambolli bie pre e sulmeve kurdë, kur në vitin 2016, një sulm i ngjashëm la të vrarë 38 persona dhe plagosi 155 të tjerë, pas një goditjeje të koordinuar me dy bomba.

Çfarë ndodhi?

Gjashtë persona kanë mbetur të vdekur dhe 81 të tjerë kanë mbetur të plagosur nga një shpërthim masiv i ndodhur në Stamboll pasditen e 13 nëntorit, ku veprimet e para hetimore janë të orientuara drejt një sulmi me prapavijë terroriste.

Shifrat i ka bërë me dije fillimisht guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaja, i cili ka shpjeguar shkurtimisht edhe situatën aktuale, në rrugën Istaklal, ku shpërthimi ndodhi, duke thënë se katër persona kishin humbur jetën.

“Të plagosurit por trajtohen momentalisht dhe hetimet po kryhen. Ndërsa, i lutemi publikut të tregojë durim, për të marrë përditësimet e fundit zyrtare mbi ngjarjen”, shkroi ai në median e tij sociale Twitter.

Më pas, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e dënoi sulmin dhe bëri me dije se numri i viktimave kishte shkuar në gjashtë.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 16:20 të pasdites, në distriktin e Beyoglu. Një zonë kjo tepër turistike dhe me shumë lëvizje përgjatë gjithë orëve të ditës.

Fillimisht, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në një prej rrugëve, përkatësisht atë Taksim Istiklal dhe një kaos i menjëhershëm u zhvillua në zonë, për shkak të panikut të qytetarëve.

Policia, zjarrfikësit dhe ambulanca shkuan menjëherë në vendngjarje për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe aty u përballën edhe me tragjedinë.

Mediave, sipas raportimeve lokale, iu ndalua të afrohen në zonën e goditur dhe përditësimet me lajme janë bërë vetëm në rrugë zyrtare.

Vetë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një konference për shtyp përpara fluturimit të tij për në Bali, ku do të jetë pjesë e samitit të vendeve të G20, tha se “aroma e terrorizmit po ndihej në ajër”.

“Kushdo që mendon se do ta kapë Turqinë me vepra terroriste, e ka përpjekje të dështuar”, tha ai. “As sot, as nesër, Turqia nuk do të ndalet përballë këtyre sulmeve, ashtu sikundër në të shkuarën nuk është ndalur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore