Lajme

Turqia nis ofensivën e re tokësore dhe ajrore në Irakun Verior


Turqia ka nisur një ofensivë të re tokësore dhe ajrore ndërkufitare kundër militantëve kurdë në Irakun verior.

Kjo u njoftua nga ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar.

“Avionët dhe artileria turke goditën objektivat që i përkisnin Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, përpara se trupat komando — të mbështetura nga helikopterë dhe dronë — të kalonin në rajonin fqinj nga toka ose të transportoheshin me helikopterë”, tha ai në një video të postuar në faqen e internetit të ministrisë.

Akar theksoi se avionët goditën “me sukses” strehimore, bunkerë, shpella, tunele, depo municionesh dhe selitë që i përkisnin PKK-së.

Grupi mban baza në Irakun verior dhe e ka përdorur territorin për sulme ndaj Turqisë.

Turqia ka kryer operacione të shumta ndërkufitare ajrore dhe tokësore kundër PKK-së gjatë dekadave të fundit.

Ofensiva e fundit ishte përqendruar në rajonet Metina, Zap dhe Avashin-Basyan të Irakut verior.

“Operacioni ynë po vazhdon me sukses, siç ishte planifikuar. Objektivat që ishin vendosur për fazën e parë janë arritur”, tha Akar.

Nuk kishte asnjë informacion për numrin e trupave dhe avionëve të përfshirë në inkursionin e fundit.

Konflikti mes Turqisë dhe PKK-së

Sulmet e PKK-së vlerësohen të kenë vrarë dhjetëra mijëra njerëz që kur filluan për herë të parë në 1984.

Në dy vitet e fundit, lufta e Turqisë kundër PKK-së është përqendruar gjithnjë e më shumë në Irakun verior, ku grupi ka bastionin e tij në malet Qandil në kufirin iranian.

PKK-ja ka qenë një ferrë në sytë  e Turqisë për dekada.

Grupi, i cili ka rrënjë marksiste-leniniste, u formua në fund të viteve 1970 dhe filloi një luftë të armatosur kundër qeverisë turke në 1984, duke kërkuar një shtet të pavarur Kurd brenda Turqisë.

Luftimet u ndezën përsëri pasi një armëpushim dy-vjeçar që përfundoi në korrik 2015-ës.

PKK-ja është në shënjestër të sigurisë turke, pas përpjekjes për grushti shteti në korrik të 2016-ës kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Lufta e PKK-së është gjithashtu pjesë e trazirave në Irak dhe Siri, ku Turqia po përpiqet të ruajë kontrollin e territoreve në kufi të saj, në një fushë beteje me shumë forca rivale.

PPK-ja është shpallur organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore