Lajme

Turqia mori çfarë donte në Madrid


Një memorandum trepalësh është nënshkruar mes Turqisë, Finlandës dhe Suedisë, për të siguruar mbështetjen e të parës ndaj dy vendeve nordike, të cilat duan të bëhen pjesë e NATO-s dhe ky lajm në vetvete, është shumë më i rëndësishëm se sa vetoja e Ankarasë kur Helskinki dhe Stockholmi bënë me dije planet për t’iu bashkuar aleancës.

Ishte maji i vitit 2022, kur presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, akuzoi drejtpërdrejt dy vendet (Suedinë me tone shumë më të ashpra), se kishin mbështetur Partinë e Punëtore Kurde (PPK), të cilën ai vetë e pati shpallur organizatë terroriste në Turqi.

“Asnjë nga vendet nuk e ka një qëndrim të qartë dhe të prerë kundër organizatës terroriste”, do të thoshte Erdogan asokohe.

Por, sot, kemi një memorandum, i cili mund t’i lidhë vendet më shumë se sa në çdo pikë historike që kanë pasur.

Pyetja që shtrohet gjithsesi, është se çfarë e ka bërë Turqinë, të ndryshojë mendimin për t’u tërhequr nga oponenca.

Komenti i vetëm deri tani, vjen nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP): Ankaraja mori atë çfarë donte në Madrid.

Në fakt, kjo marrëveshje u duk sikur ishte i vetmi qëllim i pjesëmarrjes turke në Samitin e NATO-s që po zhvillohet në Madrid të Spanjës.

Kjo, pasi Erdogan ka qenë i prerë më parë se bisedime për çështjen e detit me Kyriakos Mitsotakis, nuk do të kishte. Aq më pak për Qipron…

Ndaj, e vetmja çështje turke në tavolinë, mbetej kjo e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, të cilat e kanë tashmë dritën e padiskutuar jeshile.

Po Erdogan, e ka marrë vallë dritën jeshile për PKK-në?

Buzëqeshja e ministrit të tij të Jashtëm, Davut Çavusoglu, i cili me homologët nga Finlanda dhe Suedia firmosin memorandumin, mund të jetë përgjigja reale…një po!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore