Gjykata Speciale

Trupi gjykues kritikon ish krerët e UÇK-së për mospraninë në sallën e gjyqit


Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në seancën e së enjtes nuk kanë qenë prezent fizikisht ku dëshmitari po deklarohet në seancë të mbyllur, për këtë trupi gjykues është shprehur i shqetësuar duke thënë se të akuzuarit duhet të jenë të pranishëm në seancën gjyqësore, me përjashtim të disa rasteve.

“Jemi të shqetësuar me mos prezencën e të akuzuarve në sallën e gjyqit kur kemi gjykim. Ne besojmë se të akuzuarit me rregull duhet të jenë fizikisht të pranishëm në sallën e gjyqit kur paraqiten prova me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme kur mund t’i ndjekin përmes video-lodhjes”, tha kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.

Ndërsa, shtoi se të akuzuarit edhe në rastet kur merret leje për mospraninë fizike në sallë s’japin arsyetim.

“Kur marrin leje për të mos qenë të pranishëm nuk ka ndonjëherë arsyetim se pse nuk janë të pranishëm. Ne mbështetemi në rregullën 168/1 ku thuhet se të akuzuarit duhet të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligji dhe nga rregullorja”, tha kryetari i trupit gjykues.

Në seancë private sërish ka nisur dëshminë dëshmitari i 54-të në Gjykatën Speciale.

Ngjashëm, kishte ndodhur edhe të mërkurën.

Por, para mbylljes së seancës, të mërkurën avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, kërkoi leje nga trupi gjykues që një jurist i tyre i cili nuk ishte bashkëmbrojtës, të bëjë pyetje për dëshmitarin.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III u përgjigj se, “për ata nuk ka ndonjë pengesë dhe se juristi mund të bëjë pyetje”.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson të mërkurën kishte vazhduar intervistimin e ish-shefit të misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes, i cili dëshmoi për herë të pestë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore