Lajme

Trupi gjykues kërkon nga ZPS-ja që t’i ngushtojë akuzat ndaj ish krerëve të UÇK-së


Ish-krerët e UÇK-së.

Trupi gjykues ka thënë se e ka ftuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), që të ngushtojë shtrirjen kohore të aktakuzës në rastet e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po akuzohet për krime lufte.

Nga trupi gjykues është kërkuar që të ngushtohet shtrirjen kohore të aktakuzës, në jo më vonë se 20 qershori i vitit 1999.

Akuzat në aktakuzë po kërkohet që të ndryshohen në përputhje me rregullën “118(1)(b)”.

“Duke kujtuar se e drejta ndërkombëtare humanitare zbatohet përtej ndërprerjes së armiqësive, derisa të arrihet një mungesë e qëndrueshme e konfrontimeve të armatosura, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi më tej se ekziston një dyshim i bazuar mirë se, të paktën nga marsi 1998 deri më afërsisht më 16 shtator 1999, një jo -Konflikti i armatosur ndërkombëtar ka ekzistuar në Kosovë në kuptim të nenit 14(2) ndërmjet forcave serbe dhe UÇK-së”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesa është bërë me arsyetimin e se kuadri ligjor i Dhomave të Specializuar ofronte një rrugë procedurale për të rishqyrtuar këto çështje në fazën aktuale të procedurës.

“Provat relevante për pretendimet e mësipërme ende nuk janë vendosur para Panelit”.

“Në lidhje me këtë, Paneli thekson se: (i) çështja (ligjore) nëse ka ekzistuar apo jo një konflikt i armatosur në Kosovë pas datës 20 qershor 1999 (dhe së paku deri në shtator 1999) varet nga gjetjet faktike; dhe (ii) gjetjet e tilla mund të bëhen nga Paneli vetëm pasi të ketë ekzaminuar siç duhet të gjitha provat e ofruara gjatë gjykimit”.

“Për më tepër, Paneli vëren se: (i) në pajtim me nenin 7, krimet e kryera pas qershorit 1999 ende bien nën juridiksionin e kohor të DhSK-së; dhe (ii) nëse vërtetohet, mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit”, thotë vendimi i trupit gjykues.

Në lidhje me këtë, pasi të mbyllet rasti i ZPS-së, mbrojtja, nëse dëshiron, mund të paraqesë një mocion për të hedhur poshtë një ose të gjitha akuzat në aktakuzë.

“Duke pasur parasysh sa më sipër, Paneli konstaton se Kërkesa e Dytë dhe e Tretë janë të parakohshme (në lidhje me mbështetjen e Mbrojtjes së Thaçit në Rregullën 130) dhe përndryshe pa baza ligjore të vlefshme (në të gjitha aspektet tjera) në këtë fazë të procedurës”.

Më 1 mars, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku bëhen të ditur emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore