Lajme

Trupat azerbajxhanase hynë në territorin që kontrollohej nga Armenia


Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev njoftoi të premten se ushtria azerbajxhanase hyri në qytetin e Lachin-it.

Ky i fundit, që nga viti 1992 ishte nën kontrollin e Armenisë.

“Sot, më 26 gusht, ne azerbajxhanasit u kthyem në qytetin e Lachin-it. Ushtria azerbajxhane u vendos në Lachin. Fshatrat Zabukh dhe Sus u morën nën kontroll. Përgëzoj të gjithë qytetarët e Lachin-it dhe Azerbajxhanit për këtë ngjarje”, shkruan Aliyev në Twitter.

Më herët, u bë e ditur se ushtria ruse i dorëzoi Azerbajxhanit kontrollin mbi vendbanimet e Lachin-it, Zabukh dhe Sus, duke i dhënë në mënyrë efektive Baku-t kontrollin mbi Korridorin Lachin.

Korridori i Lachin-it është e vetmja rrugë tokësore që lidh Armeninë me Stepanakert (Khankendi), qendra administrative e Republikës së panjohur të Nagorno-Karabakut.

Në të njëjtën kohë, personeli ushtarak rus ishte i stacionuar në këtë korridor.

Sipas marrëveshjes së arritur midis Armenisë dhe Azerbajxhanit pas luftës së Nagorno-Karabakut në vitin 2020, të dyja vendet duhej të ndërtonin rrugë që anashkalonin Korridorin e Lachin-it brenda tre viteve.

Azerbajxhani tashmë ka vënë në veprim rrugën e tij dhe, si rezultat, i ka kërkuar Armenisë të bëjë të njëjtën gjë, dhe Rusisë që të ndikojë te autoritetet armene dhe të tërheqë “paqeruajtësit”.

Kjo përfundimisht çoi në një përshkallëzim në muajin gusht, kur trupat e Azerbajxhanit konsoliduan pozicionet e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore