Lajme

Trump thërritet si dëshmitar për protestat në Capitol Hill


Ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është zyrtarisht dëshmitar i thirrur në çështjen e protestave të ndodhura më 6 janar 2021 në Capitol Hill të Washingtonit, ku të vrarë mbetën pesë vetë e të plagosur dhjetëra të tjerë, pas përpjekjes për të ndaluar certifikimin e zgjedhjeve amerikane dhe shpalljen e fitores së Joe Biden kundrejt kandidatit republikan, Trump.

Vendimi është marrë nga komiteti i posaçëm i 6 janarit, i cili drejtohet nga përfaqësuesi i demokratëve, kongresmeni Bennie Thompson.

Kjo, mund të quhet zyrtarisht edhe një “fitore e vogël” për demokratët, të cilët prej muajsh e kanë kërkuar vënien e Trump përballë këtij komiteti dhe dëshminë e tij mbi gjithë rrjedhën e asaj çfarë ka ndodhur në Capitol Hill.

Pas në kohë, 6 janari do të shënjonte një prej ngjarjeve më të bujshme në historinë moderne amerikane.

Një protestë e thirrur nga ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, me qëllim moslejimin e certifikimit të fitores së Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020, do të kthehej në një skenë të vërtetë krimi ndaj institucioneve dhe vetë demokracisë amerikane.

Tempulli i demokracisë, Capitol Hill, do të bastisej thuajse barbarisht nga mbështetësit e Trump, mes të cilëve edhe persona të armatosur rëndë.

Kongresmenë, senatorë, punonjës të administratës shtetërore, do të rrezikoheshin e cenoheshin seriozisht, në përpjekjen e paprecende dhe sulmin ndaj institucionit.

Pesë persona, mes të cilëve edhe një punonjës i Policisë, mbetën të vrarë asokohe, por e paevitueshmja nuk u arrit.

Me ndërhyrjen e forcave të rendit dhe vendosmërinë (tashmë nga të dy palët) për të përmbyllur procesin, Joe Biden u shpall Presidenti i Amerikës.

Por, pas u la një kalvar i tërë procesesh mbi ngjarjen, ku demokratët kërkuan ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor, shumë të ngjashëm me atë të 11 shtatorit 2001, kur u rrëzuan kullat binjake.

Një grup i posaçëm pune u ngrit nga ana e demokratëve dhe prej muajsh tashmë, dëshmi të shumta janë marrë, ku mes të cilave ka nga ato që e përdhosin figurën e Trump dhe nxjerrin hapur se si ai ishte nxitës kryesor i një “kryengritjeje” dhe “Rebelimi” të vërtetë ndaj demokracisë.

Me thirrjen e Trump në bankën e dëshmitarit, gjithçka mund të marrë një rrjedhë tjetër, edhe pse ish-presidenti, mund të shfrytëzojë edhe amendamentin e pestë amerikan, i cili i lejon të mos komentojë mbi ngjarjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore