Lajme

Trump do të fluturojë drejt New York-ut për gjyqin, policia merr masat


Ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump është planifikuar të fluturojë nga Florida në New York të hënën.

Kjo, për t’u paraqitur në gjykatë të martën dhe për t’u përballur me akuzat në lidhje me aferën e “blerjes së heshtjes” të yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Trump do t’i merren shenjat e gishtave dhe do të fotografohet në gjykatë të martën.

Më pas Trump do të dalë para një gjyqtari për herë të parë në këtë çështje dhe do të përballet me akuza që nuk janë bërë publike.

Do të jetë një moment historik kur ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të dëgjojë kallëzimet penale të ngritura ndaj tij.

Sipas një këshilltari të Trump, ish-presidenti planifikon të largohet nga vila e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida në mesditën e së hënës dhe të mbërrijë më vonë gjatë ditës në New York dhe të kalojë natën në Trump Tower në Manhattan.

Pas vizitave në gjykatë, Trump do të kthehet në Florida dhe do të mbajë një fjalim në Mar-a-Lago.

Gjatë fundjavës, policia e New York-ut filloi të ngrejë barrikada përgjatë skajit të trotuareve rreth rrokaqiellit të Trump dhe ndërtesës së Gjykatës Penale të Manhatanit në qendër të qytetit.

Salla të tjera të gjyqit në katet e sipërme të gjykatës do të mbyllen në kuadër të masave të sigurisë.

Në rezidencat e Trump priten demonstrata dhe policia ka premtuar se do të jetë gati për to.

“Oficerët janë në gatishmëri të lartë dhe departamenti mbetet i gatshëm të përgjigjet sipas nevojës dhe do të sigurojë që të gjithë të mund të ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtat e tyre”, tha Departamenti i Policisë së New York-ut në një deklaratë.

Gjyqi i Trump zhvillohet të martën, pa pranga në duar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore