Muzikë

Triumfi i Ronela Hajatit “irriton” Robert Aliajn: Më vjen keq që tallavaja do të shkojë në “Eurovision”


Artisti shqiptar, Robert Aliaj, nuk është fare i kënaqur më përzgjedhjen e sivjetshme të Festivalit të Këngës së RTSH-së, për këngën fituese që do të na përfaqësojë në “Eurovision 2022” – duke iu referuar kështu këngës “Sekret” nga Ronela Hajati.

Aliaj ka thënë se ndihet keq që paneli i jurisë ka përzgjedhur një këngë me ritme “tallavaje”, për të na përfaqësuar në kompeticionin e madh të muzikës evropiane, ndërsa ka thënë se “një model i tillë shoqëror që s’do të sundojë kurrë”.

Robert Alija.

“Më vjen shumë keq që tallavaja do të shkojë ne Eurovision. Jo se unë për Eurovision kam ndonjë respekt pasi e shikoj si një festival propagandistik, një festival kot”, ka thënë Aliaj në një intervistë për emisionin “A Show”.

Mes tjerash, artisti kontrovers, si rrallë herë ka folur edhe rreth stilit të tij unik të veshjes.

“Unë mendoj se jam gjithashtu një produkt i ngjarjeve dhe unë e shpreh këtë në forma artistike siç është veshja ime, e cila për mua është një deklaracion kush je dhe përse je, ti thotë veshja pa fjalë”, ka thënë ai.

“Jam thjesht vetvetja. Unë jam njëri i lirë, transparent që do të thotë opinionin publik ta krahasosh me zero që nuk ka asnjë influencë tek ty. Unë e shikoj si mision të jap kontributin tim social”, ka shtuar ai.

Tutje, Aliaj, ka kritikuar figurat publike shqiptare duke thënë se  – “VIP-at në Shqipëri vetëm marrin nga adhurimi që jep publiku dhe nuk japin në aspektin social”.

Ronela Hajati.

Përndryshe, Ronela Hajati, do ta përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovisionin” e këtij viti. Në finalen e madhe ajo arriti të pozicionohej e para në listë, duke triumfuar përfundimisht kundrejt, Alban Ramosajt me këngën “Theje” – ani pse kjo e fundit ishte kënga më e klikuar e edicionit të fundit të Festivalit të Këngës së RTSH-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore