Kosova

Tri vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës


Ushtria e Kosovës

Më 14 dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës, me 106 vota pro dhe një abstenim, pati miratuar tri ligjet që e ndryshonin mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në ushtri të Kosovës.

Ligjet që u miratuan janë, Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ushtria e Kosovës

Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kishin kundërshtuar formimin e ushtrisë së Kosovës dhe paralajmëronin se vendimin e kuvendit për ushtrinë do ta dërgonin në Gjykatën Kushtetuese.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësonin si “një  ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”.

Ushtria e Kosovës

Mbështetje Parlamentit të Kosovës për shndërrimin e FSK-së në ushtri përmes ligjeve, i dhanë dy ish-ambasadorët në Kosovë, ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connel.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca, që më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës, që përbëhej prej pesë mijë trupave dhe tre mijë rezervistë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore