Shëndet

Shqiptarët u drejtohen dietave për fizikun perfekt


Kur dëgjon për qendra dobësimi, qoftë me dieta apo metoda të tjera, nuk bën më habi në vitin 2021. Ashtu sikurse nuk çuditesh edhe nga shtimi i numrit të dietologëve në Tiranë, një profesion i padëgjuar dhe i nënvlerësuar më parë.

Tashmë, në vendin tonë vihet re se tendenca për të pasur linja perfekte është gjithmonë e në rritje. Obeziteti, por edhe stresi i tepërt, po i bën këto shërbime të fitojnë klientelë.

Por pse shqiptarët po i japin kaq shumë vëmendje pamjes fizike? A jemi kthyer në një shoqëri paragjykuese apo pamja në këtë kohë vlen më shumë se mendja?!

Ne duhet të dimë që jo gjithçka shkon siç e mendojmë. Çdo gjë ka dhe kostot e saj. Të shkosh në palestër, të nisësh seanca dobësimi apo regjim ushqimor kushton. Natyrisht që të arrish rezultate pozitive duhet edhe shumë vullnet, pasi siç thonë vetë ekspertët e fushës duhet punë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm për disa muaj.

Anila Kalleshi, dietologe prej shumë vitesh në Tiranë, pohon për “Albanian Post” se shqiptarët kërkojnë dy shërbime kryesore: kategoria e konsultës dietologjike, e cila përfshin vizitën, si dhe rekomandimet e shkruara për humbje apo marrje peshe. “Ky është një shërbim më ekonomik, por në këtë rast ka ndikuar edhe periudha e pandemisë, sepse njerëzit duan ta kthejnë të ushqyerit në një stil jetese dhe jo vetëm si zgjidhje momentale”, thotë Kalleshi.

Në vijim, dietologia thotë se kërkesat për shërbimin janë rritur. “Jo vetëm për shërbimin e rënies nga pesha, por edhe për të marrë peshë dhe thjesht për ta ruajtur atë. Është rritur numri i klientëve, të cilët kërkojnë shërbim për t’u ushqyer në mënyrë të shëndetshme dhe për të ruajtur parametrat e peshës dhe të shëndetit. Shfaqja e patologjive të ndryshme, që lidhen me mënyrën e të ushqyerit, i ka ndërgjegjësuar njerëzit, të cilët bashkë me virusin kuptuan domosdoshmërinë e një diete të shëndetshme”, pohon Kalleshi.

Ndonëse ka nisur të ndryshojë disi, dietologët tregojnë se vijon tendenca e shqiptarëve për të humbur peshë shpejt dhe me teknika jo të lodhshme. Për shembull, femrat u drejtohen dietologëve apo qendrave për dobësim jo vetëm për arsye shëndetësore, por edhe sepse ndihen të paragjykuara nga shoqëria.

Ekspertët e fushës thonë se kërkesat për dobësim vijnë nga të gjitha kategoritë, duke nisur nga fëmijët me probleme shëndetësore prej mbipeshës, femrat e reja, të cilat duan të humbin peshë për t’u dukur më bukur, apo femra dhe meshkuj mbi 40 vjeç, të cilët kërkojnë “ndihmë” për arsye shëndetësore.

Duke parë numrin e lartë të qendrave estetike dhe atyre të dobësimit, lind pyetja: Pse thonë që shqiptarët nuk kanë lekë?! A mos vallë heqim dorë nga gjëra më primare vetëm për disa këmbë të holla e një bark të sheshtë?!

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore