Shqipëria

Tre shqiptarë arratisen nga burgu në Itali, kapën dy prej tyre


Tre shtetas shqiptarë u arratisën nga burgu i Trevisos në Itali. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes. Ata janë arratisur pasi kanë prerë hekurat e qelisë dhe kanë përdorur çarçafët për të zbritur nga qelia.

Gjithashtu mësohet se dy nga tre të dënuarit u kapën.

Personi i cili i shpëtoi prangave të Policisë dyshohet se është Edison Pula, 27 vjeç nga Kruja.

Ky i fundit gjendej në burg për llogari të vendeve evropiane pasi kishte një urdhër-arresti evropian për tentativë vrasje, grabitje, posedim eksplozivi dhe krime të tjera të trafikut të drogës, të gjitha të kryera jashtë Italisë.

Është hera e dytë që Pula arratiset nga duart e Policisë.

Në dhjetor të vitit 2016 ai u arrestua nga Policia e Shtetit dhe disa orë pas arrestimit të tij ai u arratis nga Komisariati i Krujës, aty ku mbahej në paraburgim.

Në atë kohë, Pula ishte i dyshuar për veprat penale “Vrasje me paramendim e ngelur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja e armëve dhe municioneve luftarake”.

Ai gjithashtu mendohet të jetë pjesë e bandës famëkeqe të Nikelit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore