Lajme

Trashëgimtarët e viktimave të masakrës naziste të Civitella-s kërkojnë dëmshpërblim nga Gjermania


Mbi 200 të vdekur.

Të masakruar nga ushtarët e Hitlerit të divizionit famëkeq “Hermann Goering”, të cilët rrethuan fshatin historik të Civitella-s në agim

Nisën të vrisnin çmendurisht, duke bastisur shtëpitë, duke përdhunuar gratë, duke terrorizuar fëmijët, duke ndërprerë meshën dhe duke tërhequr zvarrë besimtarët.

Të gjitha përpara mitralozëve që vrisnin grupe me nga pesë vetë përnjëherë.

Ishte 29 qershor, dita e Shën Pjetrit në vitin 1944, e cila ishte ngjashëm fatale për qytetin e afërt të San Pancrazio, banorët meshkuj të të cilit u mbyllën në një bodrum dhe u vranë nën kërcënimin e armëve.

Për atë masakër, një nga më të përgjakshmet e pushtimit nazist, të tejkaluar vetëm nga Marzabotto dhe Sant’Anna di Stazzema, trashëgimtarët e viktimave po padisin Gjermaninë përpara gjykatës së Romës.

Ata kërkojnë dëmshpërblim prej 109 milionësh.

Organizatori i aksionit është avokati Roberto Alboni, i cili përfaqëson 170 anëtarë të familjes së 81 prej të vdekurve.

Synimi nuk është edhe aq marrja e parave nga Republika Federale e Gjermanisë, e cila edhe falë gjykimeve ndërkombëtare nuk ka paguar kurrë, por pjesëmarrja në shpërndarjen e fondit të kompensimit me të cilin Italia merr përsipër të riparojë dëmin në vend të Gjermanisë.

Alboni nuk e ka takuar asnjëherë gjyshin e tij, Metello Ricciarini, i cili u masakrua atë 29 qershor në prologun e masakrës, rrëzë kodrës Civitella.

Ai është avokati që nisi ortekun e kërkesave për dëmshpërblim, të cilat më pas u përhapën në të gjithë Italinë, me Gjermaninë e dënuar për të paguar dëme për shumë masakra, së fundmi edhe për Marzabotto.

Ndodhi 15 vite më parë, gjatë gjyqit para gjykatës ushtarake të La Spezia-s, ku në vitin 2007 për masakrën e Civitella-s u dënua me burgim të përjetshëm i fundit nga të mbijetuarit e masakrave, ish rreshteri Max Josef Milde.

Avokati kërkoi që Republika Federale të dërgohej para gjyqit si përgjegjëse, duke marrë gjithashtu një dëmshpërblim të përkohshëm për dëmet mbi një milion.

Mirëpo, i destinuar vetëm për disa anëtarë të tjerë të  familjes së tij që kishin ngritur padi civile.

Pati polemika.

Alboni, i cili për vite të tëra u përpoq më kot të sulmonte asetet e Republikës Federale në Itali, u akuzua se donte të fitonte para nga dhimbja.

Sulmet erdhën edhe nga avokatët e qytetit. Pas disa kohësh, shumë kanë ndryshuar mendje, por jo Gjermania, e cila e çoi Italinë në Gjykatën e Hagës pikërisht për Civitella-n, duke marrë një vendim të favorshëm.

Si shtet sovran, nuk mund të gjykohej, gëzonte imunitet.

Thirrja, e cila detyron Republikën Federale dhe gjithashtu kryesinë e këshillit, për t’u paraqitur në sallën e gjyqit, arrin në minutën e fundit. Afatet për pretendimet e dëmshpërblimit skadojnë në fund të tetorit.

Seanca është caktuar për 15 maj, një muaj pas përvjetorit të masakrës.

Lista e atyre që kanë dalë në krah të avokatit Alboni është e pafund.

Por sot e kësaj dite, 78 vjet pas masakrës, plagët e asaj që historianët e kanë quajtur “kujtesa e ndarë” e Civitella-s nuk janë shëruar plotësisht.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore