Sport

Trajneri i Nantes: Nuk ishte dënim, por nuk do të ftohen futbollistët që agjërojnë në ditën e ndeshjes


Trajneri i Nantes, Antoine Kombouare, la jashtë skuadrës futbollistin e tij, Jaouen Hadjam, pasi që ky i fundit kishte refuzuar ta ndërprente agjërimin në ditën që klubi i tyre kishte ndeshje në Ligue 1.

Nantes u mposht me rezultat 0:3 nga Reims në ndeshjen e zhvilluar në kampionatin francez, por bëri bujë lajmi që mbrojtësi algjerian u përjashtua nga kjo ndeshje pasi që ishte duke e agjëruar Ramazanin.

Megjithatë, trajneri i tij tha se nuk ishte një dënim ky ndaj Hadjam, por nuk do të ftohen në skuadër futbollistët që agjërojnë në ditën e ndeshjes.

“Jaouen? Nuk ka polemika. Është zgjedhja e tij dhe unë e respektoj atë. Ky nuk është një dënim, por është një procedurë që duhet ta ndjek”, tha trajneri francez.

“Gjatë javës kur nuk kemi ndeshje, nuk e kam problem me lojtarët që agjërojnë. Jam i gatshëm t’i mbështes, e di që nuk është e lehtë”, shtoi ai.

“Por në ditën e lojës, nuk duhet të agjëroni. Dhe ata që agjërojnë nuk janë në skuadër”, tha mes tjerash trajneri i klubit Nantes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore