Lajme

Trajkoviç: Ka zëra se Radojiçiç ndodhet në Veri – po përgatitet për hakmarrje


Rada Trajkoviç

Rada Trajkoviç, këshilltare e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, ka thënë se ekzistojnë zëra se kryekrimineli Milan Radojiçiç – i cili mori përsipër sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit – gjendet në Veri të Kosovës, dhe se, sipas saj, po përgatitet për “hakmarrje” për terroristët e vrarë më 24 shtator nga Policia e Kosovës.

“Ka zëra se ai ndodhet në Veri të Kosovës dhe se po përgatit hakmarrje për të rinjtë e vrarë. Në përgjithësi, ne shohim dhe presim që ambasadori amerikan Christopher Hill ta pyesë Aleksandër Vuçiç-in se pse personat që janë në listën e zezë janë bashkëpunëtorët e tij më të mëdhenj”, ka thënë Trajkoviç në një intervistë për median opozitare serbe “N1”.

Ndërsa, duke folur për shpërthimin e grantës së dorës në orët e vona të së hënës në Mitrovicë të Veriut, ku mbetën të plagosur dy persona, ka thënë se është “mesazh” për serbët nga Kosovës, “që mund të kalojnë si Oliver Ivanoniçi” – i vrarë 6 vite më parë.

“Ky është në fakt mesazhi. Kur shteti nuk punon për diçka, që është gjendja e sigurisë në Veri të Kosovës, ka një ndikim shumë të fortë te qytetarët. Shteti vazhdon të lejojë që të dominojnë njerëzit nga mjedisi që kanë marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Ivanoviç-it dhe ky lloj lajmi nuk është befasi”, ka thënë Trajkoviç në një intervistë për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”.

“Ky është një mesazh, para së gjithash, për serbët nga Veriu i Kosovës: ‘Ne jemi këtu! Nëse nuk jeni besnik në një shkallë të mirë, mund të kaloni të njëjtën rrugë si Oliver’”, shtoi.

Ajo thekson se ekziston një dokument për përfshirjen e kryekriminelit Milan Radojiçiç – i cili mori përsipër sulmin terrorist të 24 shtatorit – dhe Zvonko Veselinoviç, në vrasjen e Ivanoviç-it, i cili ka ardhur nga qeveria amerikane.

“Ata janë shënuar në listën e zezë si të përfshirë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviç-it. Njerëzit nuk futen në listën e zezë pa prova dhe materiale. Nuk e di se sa i ka kërkuar vendi ynë qeverisë amerikane që t’i informojë për gjetjet e saj për vrasjen e Oliverit, por nuk mendoj se ka kërkuar asgjë”, potencoi ajo.

“Edhe Veselinoviç-i edhe Radojiçiç janë njerëz me besimin më të madh të biznesit të Qeverisë së Serbisë dhe Aleksandër Vuçiç-it, sepse ata marrin projektet më fitimprurëse dhe janë bërë milionerë”.

Politikania serbe nga Kosova beson se pushteti politik i Vuçiç-it “është shumë i rrezikshëm për shtetin serb dhe popullin serb në këtë moment”.

“Pas Banjës, ai nuk duhet të negociojë, sepse kapaciteti i tij negociues nuk është më i rëndësishëm. Ai duhet të përgjigjet për Banjën, sepse provat tregojnë lidhjen e Radojiçiç-it me organet e sigurisë. Kaq shumë armë nuk mund të gjenden ashtu”, nënvizoi Trajkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore