Sport

Totti në rrëfim 360 gradë: Futbolli sot është më shumë biznes


Kush më mirë se Francesco Totti do të jepte një përkufizim për futbollin e sotëm. Ish-kapiteni legjendar i Roma-s dhe mbase futbollisti më besnik në historinë e futbollit, duke parë nivelin e tij në krahasim me atë të klubit italian ka folur në një intervistë për britaniken “The Guardian”.

Totti bëri debutimin me fanellën verdhekuqe të Roma-s në vitin 1992 dhe nuk e tradhëtoi kurrë klubin e fëmijërisë. Në vitin 2017 ai u tërhoq nga futbolli i luajtur pas gati çerek shekulli me klubin kryeqytetas.

Ish-numri “10”, kapiteni dhe emblema e tifozerisë romake, numëron 785 prezenca në fushë, 307 gola dhe 186 asiste me verdhekuqtë. Ai i hoqi vetes shumë mundësi për të luajtur me klube më të mëdhaja se sa Roma dhe për të fituar më shumë trofe.

Kohë më parë, Diego Maradona do e cilësonte italianin si “lojtari më i mirë që kam parë ndonjëherë”. Pavarësisht se trofetë e koleksionuar prej tij ishin pak. Karriera e tij e madhe numëron vetëm pesë trofe në rang klubesh. Një Serie A, dy Kupa të Italisë dhe dy Superkupa të Italisë.

“Të marresh një Scudetto me ekipin e fëmijërsië, në qytetin ku ke lindur është e veçantë. Një Scudetto në Romë vlen sa 10 në një qytet tjetër”, ka thënë Totti kohë më parë. Roma ka fituar vetëm tre herë Serie A në historinë e saj 94-vjeçare.

Në autobiografinë e tij nën titullin “Gladiator”, Totti ka zbuluar se festimet për titullin në Serie A kishin zgjatur më shumë se ato kur kishte fituar Kupën e Botës me Italinë në 2006.

“Ata më quajnë të çmendur dhe nuk mund ta pranojnë atë”, shkruan Totti në libër. “Sepse padyshim që Kupa e Botës është kulmi i çdo karriere, po kjo vlen më shumë për ata lojtarë që fitojnë (Scudetto) çdo vit, sesa për ata që pothuajse kurrë nuk fitojnë”.

“Për ne, gjëja më e mirë është Scudetto dhe pengu im më i madh është se nuk kam fituar të paktën një të dytë”, shtoi Totti.

Ish-kapiteni foli për kohën dhe ndryshimet mes futbollit të atëhershëm dhe atij të sotëm. “Fillova në periudhë të ndryshme. Një futboll ndryshe”, tha ai.

“Një futboll i bërë nga dashuria, dashuria ndaj tifozëve. Duke luajtur për ekipin që gjithmonë mbështesja, ishte shumë më e lehtë për mua të bëja këtë zgjedhje”, shtoi 45-vjeçari.

“Njëzetepesë vjet në një ekip nuk janë gjë e vogël dhe të jesh kapiten, duke qenë nga lojtarët më të rëndësishëm, gjithmonë duhet të matesh”.

“Por për të bërë një krahasim midis kohës sime dhe sot, është e vështirë. Sot është më shumë biznes. Ju shkoni atje ku mund të fitoni më shumë para”, vijoi të thoshte kampioni i Botës në 2006.

Totti zbulon se si kishte refuzuar Milan-in në 1996, kur ata sapo kishin fituar Serie A. Për ish-sulmuesin, kuqezinjtë atëherë ishin “ekipi më emocionues që kam parë ndonjëherë, i vetmi në të cilin kam fantazuar të luajë”.

Natyrish përgjigjja edhe në këtë rast ishte “jo”. Totti edhe pse shumë i ri në moshë, mori vendimin për të qëndruar te Roma dhe refuzoi një çek me vlerë 150 milionë lira ose 75 mijë euro nëse flasim me kohën e tanishme.

“Vendimet merreshin gjithmonë nga unë, me kokën time. Shpesh prinderit tuaj do t’ju japin këshilla. Dhe është e drejtë t’i dëgjosh ata. Por pastaj, në fund, duke qenë kaq i ri, e dija që kisha kohë dhe një të ardhme para meje”, tha Totti për refuzimin që i kishte bërë Milan-it.

Totti ka hedhur poshtë shumë oferta gjatë karrierës së tij. Por, ajo më e rëndësishmja ishte oferta e Real Madrid-it në vitin 2006. Klubi madrilen i ofroj atij mundësinë për ta bërë lojtarin më të paguar në botë në atë kohë.

Ishte një rast ku karriera dhe jeta e tij mund të kishte ndryshuar përgjithmonë. Ai sapo kishte fituar Kupën e Botës.

“Real Madrid-i ishte skuadra tjetër e vetme për të cilën mund të kisha shkuar për të luajtur”, tha Totti.

“Një përvojë në një vend tjetër mund të ketë qenë diçka e bukur për të gjithë. Per familjen time. Për mua”, shtoi ai.

Në fund, Totti foli edhe për kohën kur vendosi të tërhiqej nga futbolli i luajtur. Roma e kishte njoftuar atë nëse dëshironte të thoshte disa fjalë para derbit të tij të fundit me Lazio-n në 2017.

“Ju kurre nuk dëshironi të ndaleni”, thotë Totti, duke shtuar se “Sinqerisht, nuk e mora mirë në fillim. Por, ngadalë ngadalë kam kuptuar se ishte gjëja e duhur”.

Totti tashmë është i fokusuar në profesionin e ri që ka nisur. Ai po merret me konsulencë sportive, si dhe me zbulimin dhe menaxhimin e talenteve të reja në futboll.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore