Lajme

Torres: Zhgënjyese që Blinken sulmoi publikisht Kosovën


Kongresmeni amerikan, Richie Torres.

Kongresmeni amerikan, Richie Torres, është shprehur i zhgënjyer me deklaratat e Departamentit Amerikan të Shtetit rreth ngjarjes të së premtes në Veri të Kosovës.

Torres, përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, ka thënë se Kosova është aleat i palëkundur dhe se ishte ndër vendet e para që pranoi refugjatët afganë për llogari të SHBA-së.

“Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-së i duheshin shtete për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që pranoi”.

“Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së”, ka shkruar Torres.

Më 26 maj, sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shkruar në llogarinë e tij në Tëitter se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë ashpër atë çfarë ka ndodhur këtë të premte në Veri të Kosovës, kur policia asistoi kryetarët e ri të Leposaviq-it, Zveçanit dhe Zubin Potokut të futen në zyrat e tyre.

“Ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në veri dhe po rritë pasigurinë”, ka thënë Blinken.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të tërhiqet menjëherë.

“Thërrasim kryeministrin Albin Kurti që menjëherë të ndalë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, shkroi Blinken në Tëitter.

Ndërsa edhe në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u tha se ShBA-të “dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

Çka ndodhi?

Në mesditën e së premtes të 27 majit në katër Komunat me Shumicë Serbe në Veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokalë të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kishin arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Teksa pesë policë kishin mbetur të lënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore