Lajme

“Tollovi e krijuar pa asnjë nevojë”, thotë KMDLNJ për tekstet shkollore


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar pas mënyrës që e ka zgjedhur Qeveria e Kosovës, për t’i furnizuar nxënësit me librat.

KMDLNJ, përmes një komunikate për media ka thënë se është krijuar “tollovi pa asnjë nevojë”.

“Kush e paguan mundin e prindërve dhe orët e humbura sepse pa tekste shkollore mësimi mbahet sa për të plotësuar kushtet e kontratës e jo për të shpërndarë dije”.

“Nëse kemi parasysh faktin se shumë prindër janë të punësuar, ata duhet të marrin ditë të lirë në mënyrë që t’i blejnë librat ose, edhe më keq , gjyshet apo gjyshërit e nipave dhe mbesave detyrohen të presin në radhë për blerje të librave”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

Nga ky këshill është vlerësuar se kjo tollovi e krijuar ngjall “dyshime tenderimi”.

“KMDLNj-ia vlerëson se kjo tollovi e krijuar, pa asnjë arsye dhe pa asnjë nevojë, ngjallë dyshime te tenderimi sepse oferta e shtëpive botuese të teksteve shkollore nuk dallon shumë nga mjetet e ndara për këtë prandaj duhet që MASHT-i të sqarojë pse u përcaktua për subvencionim që po del të jetë më i kushtueshëm e jo për mënyrën që e kishte zbatuar MASHT-i vitin e kaluar”.

Sipas KMDLNJ-së, reagimi i opinionit ka qenë jashtëzakonisht i butë dhe në kundërshtim me seriozitetin e situatës së krijuar.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, informoi se kanë dështuar në sigurimin e librave dhe se për këtë arsye prindërit duhet që të blejnë librat vetë e më pas të subvencionohen nga ky dikaster duke aplikuar në platformën e-Kosova.

Por, një kërkesë e tillë për prindërit krijoi një sërë problemesh pasi 1 shtatorin fëmijët e tyre e nisën me mungesë të librave, kjo pasi që në numrin më të madh të librarive të Kosovës, menjëherë u krijuan probleme për sigurimin e mjaftueshëm të librave.

Në disa raste libraritë ndryshuan edhe çmimet për përfitime personale.

Sipas Ligjit për arsimin parauniversitar në Kosovë, shkollimi fillor është i detyrueshëm dhe ofrohet falas.

Po sipas këtij ligji, edhe tekstet shkollore nga klasa e parë deri në klasën e nëntë shpërndahen falas.

Një grevë e mësimdhënësve ka shtyrë nisjen e vitit të ri shkollor edhe në vitin 2019, ndërsa më 2020 dhe 2021, mësimi ka kaluar online në periudha të ndryshme kohore, për shkak të pandemisë COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore