Lajme

“Toka është tani territor i paeksploruar prej ngrohjes globale”


Një seri rekordesh klimatike kanë alarmuar disa shkencëtarë, të cilët thonë se shpejtësia dhe koha e tyre është e paprecedentë.

Valët e rrezikshme të të nxehtit në Evropë mund të thyejnë rekorde të tjera, sipas OKB-së.

Studimet janë duke u zhvilluar, por shkencëtarët tashmë kanë frikë se disa skenarë të rasteve më të këqija po shpalosen.

“Unë nuk jam në dijeni të një periudhe të ngjashme kur të gjitha pjesët e sistemit klimatik të jenë në rekord ose anormale”, ka thënë Thomas Smith, një gjeograf mjedisor në London School of Economics.

“Toka është në territor të paeksploruar tani”, për shkak të ngrohjes globale nga djegia e lëndëve djegëse fosile, si dhe nxehtësisë nga El Niño i parë që nga viti 2018, ka thënë pedagogu i shkencave klimatike të Kolegjit Imperial në Londër, Paulo Ceppi.

Bota përjetoi ditën e saj më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në korrik, duke thyer rekordin global të temperaturës mesatare të vendosur në vitin 2016.

Temperatura mesatare globale arriti në 17 gradë Celsius për herë të parë, duke arritur në 17.08 gradë më 6 korrik, sipas shërbimit të BE-së për monitorimin e klimës Copernicus.

Emetimet e vazhdueshme nga djegia e lëndëve djegëse fosile si nafta, qymyri dhe gazi janë prapa prirjes së ngrohjes së planetit.

Dhe kjo është pikërisht çka ishte parashikuar të ndodhte në një botë të ngrohur nga më shumë gazra serë, sipas shkencëtares Friederike Otto, nga Imperial College London.

“Njerëzit janë 100% prapa trendit rritës”, ka theksuar ajo.

Sakaq, El Niño është luhatja klimatike më e fuqishme natyrore në botë. Ai sjell ujë më të ngrohtë në sipërfaqe në Paqësorin tropikal, duke shtyrë ajrin më të ngrohtë në atmosferë.

Zakonisht rrit temperaturat globale të ajrit.

Temperatura mesatare globale në qershor të këtij viti ishte 1,47 gradë Celsius mbi mesataren tipike të qershorit në periudhën para-industriale.

Njerëzit filluan të pomponin gazra serë në atmosferë kur filloi Revolucioni Industrial rreth vitit 1800.

I pyetur nëse vera 2023 është ajo që ai do të kishte parashikuar një dekadë më parë, Smith ka thënë se modelet e klimës janë të mira në parashikimin e tendencave afatgjata, por më pak të mira në parashikimin e 10 viteve të ardhshme.

“Modelet e viteve 1990 na vendosin pak a shumë këtu ku jemi sot. Por të kemi një ide se si do të dukeshin saktësisht 10 vitet e ardhshme do të ishte shumë e vështirë”, ka dalluar ai.

“Gjërat nuk do të qetësohen”, ka shtuar eksperti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore