Kosova

Todosijeviç lirohet nga akuzat, Lista Serbe: Perëndimi të ushtrojë presion mbi Kosovën


Lista Serbe

Lista Serbe, përmes një komunikate për media, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme për lirimin e zyrtarit të kësaj partia, Ivan Todosijeviç, nga të gjitha akuzat për gjuhë të urrejtjes në deklaratën e tij ku mohonte masakrën e Reçakut, duke e cilësuar si “persekutim politik dhe juridik”, rastin e Todosijeviç-it.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme, sipas Listës Serbe, ka konfirmuar të vërtetën për rastin e Todosijeviç-it.

“Nuk duhet harruar se e vërteta u prit për katër vjet, ndërsa Ivani dhe familja e tij vuajti, por edhe gjithë populli serb”, thuhet në reagim.

Pas këtij vendimi, sipas Listës Serbe “problemet e persekutimit të pabazë të serbëve nuk kanë mbaruar sepse në mbarë Kosovën sot ka serbë të pafajshëm që faji i vetëm është emri dhe mbiemri serb”.

“Çdo ditë e kaluar nën akuza të pabaza, apo në paraburgim ka pasoja të qëndrueshme në jetën e bashkëqytetarëve tanë dhe familjeve të tyre”.

Lista Serbe, në po këtë komunikatë për media, i ka bërë thirrje komuniteti ndërkombëtarë që të bëjnë presion mbi Kosovën dhe të lirojnë serbët e pafajshëm.

“Të gjithë ata dhe familjarët e tyre nuk e kanë problem të vazhdojnë procedurën, sepse është e nevojshme të hiqet llumi nga emrat e tyre, por mbajtja në paraburgim me vite pa prova në paraburgim është një dënim në vetvete pa gjykim”.

Ish-ministrit, Ivan Todosijeviç, i ishte ngritur aktakuza në korrik të 2019-ës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.

Ai është dënuar fillimisht me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por Gjykata Supreme e Kosovës e pati kthyer rastin në rigjykim, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë në shkurt 2021, Todosijeviç mori mbështetjen e votuesve dhe u zgjodh një nga dhjetë deputetët e Listës Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore