Shqipëria

Tiran’ia e ndërtimeve


Motivimi i zhvillimit urban të Tiranës ishte ai i krijimit të poliqendrave dinamike urbane.

Por, një nga aspektet më dinamike në trafikun e të jetuarit dhe vrullit të përditshmërisë në kryeqytetin e Shqipërisë është ai i ndërtimeve të reja.

“Ndërtimi pa kriter, nuk do të thotë ndërtim demokratik”, shpjegon fillimisht arkitektja dhe urbanistja Doriana Musai për Albanian Post.

Referuar statistikave zyrtare të INSTAT-it, në vitin 2021 u miratuan 435 leje për ndërtesa të reja më shumë se viti 2020.

Gjatë tremujorit të parë u miratuan gjithsej 251 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 184 leje të miratuara në tremujorin e parë 2020.

Në tremujorin e dytë 2021 ishin 347 leje ndërtimi në raport me 209 të një viti më parë.

Ndërsa trendi vijoi i njëjtë edhe përgjatë tremujorit të tretë dhe të katërt.

Përkatësisht, 442 leje ndërtimi nga 262 dhe 356 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 306 leje të miratuara në tremujorin e katërt të vitit 2020.

“Mund të raportoj që numri total i pallateve aktualisht në ndërtim në të gjithë Tiranën është 414”, rrëfente në muajin korrik fotografi i pavarur, Aurel Duka, gjatë numërimit të siteve me dronin e tij.

K’urbani i urbanistikës

Sheshi “Skënderbej” ishte projekti i parë madhor i nisur nga Edi Rama si kryebashkiak i Tiranës me një konkurs ndërkombëtar të arkitekturës të fituar nga 51N4E në bashkëpunim me artistin shqiptar Anri Sala në vitin 2008.

Musai tregon më tej sesi nga pikëpamja “funksionale”, sheshet projektohen për njerëzit, por “ndërhyrja dhe transformimi që iu bë sheshit “Skënderbej”, ka sjellë më shumë pasoja negative se sa zgjidhi probleme të hapësirës për njeriun”.

“Sheshi ‘Skënderbej’ është pika jonë e rezistencës”, do të shprehej këshilltari i kryetarit të bashkisë për planifikimin dhe arkitekturën, Ditjon Baboçi.

Baboçi nuk iu përgjigj kërkesës së Albanian Post për të komentuar situatën urbanistike të kryeqytetit.

Në një rrëfim për “Building Centre UK”, e cila ka në fokus të saj mjedisin, ai tregonte sesi transformuan rrethrrotullimin më të madh për makinat në Ballkan, “në një shesh fantastik të gjelbër dhe ekskluzivisht për këmbësorët”.

“40 mijë metra katrorë asfalt u kthyen në këndin më të madh të lojërave të Tiranës, ku të gjithë mund të shijojnë hapësirën publike në ajër më të pastër me sfondin muzikor të qindra zogjve këngëtarë urbanë që banojnë në pemët e sheshit”, shtonte më tej Baboçi.

Masterplani i Stefano Boerit parashikonte një pyll orbital prej 2 milionë pemësh rreth qytetit, ndërsa ristrukturimi i sheshit “Skënderbej” nga 51N4E do të krijonte një hapësirë të gjerë publike.

“Poliqendrat janë propozime pothuajse te të gjitha planet urbanistike të Tiranës së shekullit të kaluar, pra nuk ka asgjë të re të sjellë nga Boer-i në TR030. Poliqendrat janë procese të gjata në kohë dhe kërkojnë politika afatgjate, të cilat fillojnë aplikohen në të tashmen”, theksoi urbanistja Musai.

Transformimi i Tiranës

“Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, Qendra e Tiranës përjetoi transformimin më të rëndësishëm në historinë e saj. U ndërtuan objektet e reja qeveritare dhe u konturua sheshi Skënderbej”, sjell në vëmendje arkitekti Ndriçim Baliaj.

Sipas Baliajt, ndërtimi i tyre ishte një hap përpara në shndërrimin e Tiranës në një kryeqytet modern, evropian e perëndimor.

Në vitet 1929-’31, vijon arkitekti, Qendra e Tiranës u kthye në shesh-ndërtimi, e konceptuar nga arkitektët italianë Armando Brasini dhe Florestano de Fausto.

“Ndërtimi i tyre ishte sipas stilit neoklasik, por në të njëjtën kohë ato mbartnin të gjithë ngarkesën e historisë sonë dhe simbole të saj”, thekson Baliaj.

Ndërtesat e ministrive, si dhe ato të institucioneve të tjera që ndodhen në qendër të kryeqytetit dhe në aksin kryesor të tij  në vitin 2000 u shpallën “Ansambël Monument Kulture”.

Ky projekt urban, për arkitektin, synonte ta kthente Tiranën e kohës në një qytet modern.

“Në ditët e sotme nuk mund të themi që gjithçka shkon vaj në urbanistikën e kryeqytetit”, nënvizon Baliaj.

Arkitekti rendit disa arsye duke filluar nga ndërtimet pa kriter.

Sipas tij, banorët dhe vizitorët e Tiranës nuk janë të kënaqur me fasilitetet që do duhej të ofronte.

Ai përmend parqet, hapësirat publike të përbashkëta, hapësirat e gjelbërta apo parkimet.

“Duhet thënë gjithashtu që prej vitesh tashmë, peizazhi i qytetit nuk merret më parasysh kur jepet një leje e caktuar”, cilëson Baliaj.

Arkitekti sjell shembullin e projektimit të “nëntëkatësheve”, ku grupi projektues uli lartësinë e katit, në mënyrë që të mos pengonte panoramën e Malit të Dajtit nga sheshi “Skënderbej”.

Ndërtimi apo të ndërtuarit

Tirana është qytet monocentrik, shton Musai, dhe si i tillë, bllokimi i nyjes kryesore, duke zhvilluar rreth saj një unazë, ishte një vendim krejt i gabuar.

Sipas urbanistes, të ndërtuarit, të disa blloqeve të reja banimi, si lagjet e Komunës apo Astirit, nuk do të thotë se po ndërton një qendër të re për qytetin.

“Nuk mund të ndërtojmë pallate pa ndërtuar shërbimet në rradhë të parë”, thekson Musai.

Ajo vëren se i njëjti model për fat të keq po përsëritet edhe në Shkozet, Lagjja 5 Maji, apo Kombinat.

“Po ndërtohen ndërtime me leje, pa infrastrukturën përkatëse të nevojshme, pra nga një zonë informale, e kthejmë formale, por sërish pa shërbime primare”, nënvizon urbanistja më tej.

Sa i takon demokratizimit, vijon Musai, këtu mund t’i referohemi nga pikëpamja e zhvillimit të hapësirës – zonave informale.

“Aty kemi shprehje të identitetit, karakterit, zakoneve dhe traditave të popullsisë, lirisë së ndërtimit, stilit apo karakterit ndërtimor”, vëren ajo.

Pushteti vendor, sipas ekspertes urbanistike, po injoron lidhjen e objektit të ri me zonën ku po ndërtohet.

“Kjo që bëhet nga ana e Bashkisë, është më keq se sa totalitarizmi i hapësirës, është një politikë fashiste, fshirëse të identitetit dhe karakterit të saj”, shton urbanistja Musai.

Bashkia

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka qenë në qendër të kritikave pikërisht për çështjen e ndërtimeve të larta në kryeqytet.

Në vitin 2015, ai do të shprehej se në qytet nuk ka më hapësira për ndërtim gjatë dëgjesave të ndryshme me banorët e Tiranës.

“Ndarja e re administrative ofron një mundësi ideale që ndërtimet të shtrihen drejt zonave periurbane e rurale, ashtu siç ka ndodhur në shumë prej kryeqyteteve evropiane. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë”, do të përmbyllte deklaratën Veliaj.

Kryebashkiaku e riafirmoi shkurt se nuk do të kishte ndërtime të reja në zonat me densitet të lartë.

“Do t’i orientojmë ndërtimet drejt këtyre zonave, çka do të sjellë zhvillim për to dhe njëkohësisht do të garantojë frymëmarrje për Tiranën aktuale”.

Kjo deklaratë nuk gjeti më terren pas zgjedhjeve, kur Veliaj përkrahu nevojën e kullave të larta në qytet.

“Këto sipërfaqe shkojnë në ajër, të cilën e kemi, tokë nuk kemi”, do të ravijëzonte nga e para kryebashkiaku.

Një nyje e pazgjidhshme

Publikimi i projektit “Green Lungs” vëren se në planifikimin urban aplikohet parimi që për çdo qytetar të kishte minimalisht 2.5 metër katror gjelbërim në lagjen e tij ose në të gjithë vijën e verdhë të qytetit.

“Në asnjë nga rastet ky standard nuk përmbushet, madje nuk arrihet as gjysma e saj sikur të përfshish edhe Liqenin Artificial dhe Kopshtin Botanik e Zoologjik në përllogaritje”.

Projekti i tyre zbulon nga analiza se, në dekadën e fundit, Tirana ka humbur 58 hektar sipërfaqe të gjelbër brenda vijës së verdhë të qytetit.

Kjo është e barabartë me 82 fusha futbolli në nivel qyteti.

“Jemi përpara një situate tejet alarmante në raport me mënyrën se si po jetojmë në qytet. Politikat e ndjekura deri më tani, na sjellin një qytet, i cili u përket të gjithëve, por njëkohësisht një qytet që nuk i përket askujt”, deklaron më tej urbanistja.

Ajo shton se Tirana po trajohet si “qytet kalimtar”.

“Fatkeqësisht, kjo është duke ndodhur, dhe plani i miratuar i Tiranës, dhe politikat të natyrës ‘1 banor-1 pallat’, mua më bën të shoh këtë skenar për kryeqytetin”, thotë në vijim Musai.

Për urbanisten, politikat e ndërtimit kanë rezultuar të jenë jo efikase dhe krejt të gabuara.

Ndërtimi është edhe një burim madhor i ndotjes, që mban përgjegjësi për 600kton ndotje kryesisht në grimca të imta dhe pluhura.

Kjo, sipas projektit “Green Lungs”.

“Nivelet e ndotjes së ajrit në nivele alarmante na tregojnë pikërisht se jemi duke ndërtuar keq dhe po përdorim politika të gabuara”, ravijëzon Musai.

Provat e shtimit dhe zaptimit të Tiranës nga ndërtimet e reja janë kudo.

Qytetarët jetojnë në një hapësirë ku dita organizohet mes godinave, njerëzve, pemëve, shesheve, rrugicave dhe historisë.

Një Tiranë e ndërtuar nuk mund të jetë veçse një Tiran’i e ndërtimeve, nëse nuk riorganizohet jeta e godinave duke u nisur nga ata që e banojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore